Pas rënies një ditore, sërish shtrenjtohet çmimi i naftës. Në mbledhjen që u mbajt mëngjesin e sotëm, Bordi i Transparencës të Hidrokarbureve vendosi rritjen e çmimit të naftës me 15 lekë dhe të benzinës me 6 lekë, për tregun e pakicës.
Nga 203, çmimi i naftës u rrit në 218 lekë për litër. Nga 175, benzina arriti në 181 lekë litri.
Në mbledhjen e parë të zhvilluar, Bordi i Transparencës vendosi të ulte çmimet. Nga 214 lekë për litër siç qëndroi për 8 ditë, në 203. Ndërsa benzina nga 199, në 175 lekë.
Por, hasën kundërshtime nga importuesit e naftës. Në një letër dërguar ministrive të Financave e të Infrastrukturës dhe Energjisë, ata ngritën shqetësimin e llogaritjeve të bëra gabim, që vendosnin çmime nën kosto.
Për këtë, kërkuan që sot të mblidhej bordi e të rishikohej metodologjia e përllogaritjes, në të kundërt kjo do t’iu sillte humbje të mëdha e do të ishin të detyruar të pezullonin furnizimin.
Mëngjesin e sotëm, Bordi u mblodh dhe vendosi:
ME SHUMICË
●Nafta: 206 Lek
●Benzina: 169 Lek
ME PAKICË
●Nafta: 218 Lek
●Benzina 181 Lek
Gazi nuk ndryshon
Rritje të çmimit të naftës ka pasur edhe në bursat e huaja, për shkak të pasigurisë që po krijon në tregje mungesa e furnizimeve nëpërmjet Kanalit të Hormuzit, i kontrolluar nga iranianët.
Në bursat e huaja, sot nafta u tregtua 112 USD për fuçi nga 109 që ishte dje.
Po ashtu, një ditë më parë, presidenti amerikan, Donald Trump, iu tha mediave se ka rishikuar afatin e ultimatumit për zhbllokimin e Ngushticës së Hormuzit nga iranianët, duke e shtyrë deri më 6 prill.