Bota

Borrell: “Putin po përdor grurin si armë lufte!”

“Presidenti rus, Vladimir Putin po përdor grurin si një armë lufte”. Akuza vjen nga përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell, duke folur në samitin e krerëve të shteteve që po zhvillohet në Bruksel.

Janë 20 milion tonë grurë të ruajtura në Ukrainë të cilat duhet të eksportohen, dhe më pas, të krijojmë vende magazinimi për korrjet e ardhshme. Për eksportin e grurit ukrainas, ne duhet të gjejmë një rrugë alternative pasi ajo detare është shumë e vështirë. Sa i përket idesë së hapjes së një korridori humanitar në Detin e Zi mund ta imagjinojmë, por nuk mund ta bëjmë pa marrëveshje me Rusinë, pasi këto ujëra janë plot me mina. Ne kemi nevojë për një marrëveshje me Moskën dhe duhet të bëhet në nivelin e Kombeve të Bashkuara.

Samiti dyditor i BE-së zhvillohet pasi ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck, shprehu shqetësimin se uniteti i Bllokut “ka nisur të përçahet” dhe pritet të ritheksojë përkushtimin e Unionit në përpjekjet për të ndihmuar Ukrainën e për të vazhduar ofrimin e armëve dhe financave për Kievin.

Presidenti Volodymyr Zelensky do t’i bashkohet samitit përmes video-lidhjes, për të kërkuar nga blloku europian një raund të ri sanksionesh ekonomike ndaj Rusisë, që të rritet presioni kundrejt Moskës, për t’i dhënë fund luftës së paprovokuar në Ukrainë. Një ditë më parë, ambasadorët e BE-së dështuan të arrijnë konsensus për një propozim të Komisionit Europian mbi embargo ndaj naftës ruse.

Forcat ruse kanë rritur presionin në qytezat Severodonjeck e Lisiçansk në lindje të Ukrainës, ndërsa pretendojnë të kenë marrë kontrollin e qytetit të afërt, Liman. Ushtarakët ukrainas raportojnë se po luftojnë në kushte të rënda në këto zona strategjike. Guvernatori i rajonit Lugansk, Serhiy Hayday, tha se “situata në Lisiçansk është bërë shumë e rëndë për shkak të numrit të të vdekurve e të plagosurve”.