Bota

Bosi më i kërkuar i drogës në Ekuador kapet në një ‘bunker nëntokësor’, nën një shtëpi luksoze!

Policia në Ekuador ka riarrestuar të arratisurin më të kërkuar të vendit, bosin e drogës Adolfo Macías Villamar.

Macías, i njohur edhe me pseudonimin “Fito”, është kreu i Los Choneros, një bandë e fuqishme kriminale e cila fajësohet për transformimin e Ekuadorit nga një parajsë turistike në një vend me një nga nivelet më të larta të vrasjeve në rajon.

Ai dyshohet gjithashtu se ka urdhëruar vrasjen e kandidatit presidencial Fernando Villavicencio në vitin 2023. Policia e gjurmoi atë në atë që e përshkroi si një bunker nëntokësor poshtë një shtëpie luksoze në qytetin e Mantës.

LEXO EDHE: “Junta” e kokainës po kryen komplot”, presidenti kolumbian akuzon mafien shqiptare edhe për atentatin ndaj rivalit të tij. Dritan Gjika përmendet sërish!

Një zëdhënës i policisë tha se nuk pati të shtëna në operacionin e përbashkët 10-orësh nga policia dhe ushtria. Një numër i madh oficerësh fillimisht monitoruan dhe rrethuan shtëpinë trekatëshe në lagjen Manta të Monterrey, në bregdetin ekuadoras.

Kur ata mësynë ndërtesën, gjetën një derë rrëshqitëse, të maskuar që të dukej si pjesë e dyshemesë prej guri, nga e cila shkallët metalike të çonin në strehën nëntokësore të Fitos.

“Bunkeri” ishte i pajisur me ajër të kondicionuar, një krevat, një ventilator dhe një frigorifer.

LEXO EDHE: Presidenti Maduro akuzon mafian shqiptare: Janë arrestuar 38 mercenarë, ndërhynë në zgjedhjet e Venezuelës!

Thuhet se Fito nuk bëri rezistencë dhe u transferua me aeroplan në qytetin portual të Guayaquil, ku ndodhen disa nga burgjet më të mëdha të Ekuadorit.