Bota

Emergjencë klimatike, Spanja digjet nga zjarret!

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, deklaroi se vendi po përballet me pasojat e krizës klimatike, ndërsa zjarrfikësit vazhdojnë betejën me zjarret masive që kanë përfshirë vendin.

Autoritetet njoftuan se zjarret në perëndim të Madridit janë vënë kryesisht nën kontroll. Megjithatë, Sánchez tha se vendi po kalon “orë të vështira”, edhe pse zhvillimet gjatë natës kanë qenë pozitive për frenimin e flakëve.

Duket qartë se i gjithë Gadishulli Iberik po përjeton në mënyrë të drejtpërdrejtë efektet e emergjencës klimatike, nga zjarret dhe stuhitë deri te reshjet e dendura të borës, u shpreh ai gjatë një vizite në qendrën e komandës së zjarrfikësve pranë Madridit.

Sipas autoriteteve, 116 mijë persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në Spanjë gjatë javës së fundit për shkak të zjarreve.

Ndërkohë, një zjarr i ri pranë qytetit bregdetar të Valencias detyroi evakuimin e të paktën 15 mijë banorëve. Presidenti i rajonit, Juanfran Pérez Llorca, tha se flakët kishin dalë jashtë kontrollit, me një perimetër prej rreth 21 kilometrash.

Ministria e Brendshme e Spanjës konfirmoi gjithashtu vdekjen e një personi në qytetin Manises, pranë Valencias. Viktima u gjet brenda një automjeti në një humnerë. Autoritetet urdhëruan edhe evakuimin e tetë komunave të tjera pranë Toledos.

Ministrja e Mjedisit, Sara Aagesen, deklaroi se zjarri në provincën Ávila, që ka shkrumbuar mbi 50 mijë hektarë, është “zjarri pyjor më i madh në historinë e fundit të Spanjës”. Drejtuesja e Mbrojtjes Civile, Virginia Barcones, e përshkroi atë si “përbindësh”.

Sipas Ministrisë së Mjedisit, deri tani gjatë vitit 2026 janë regjistruar 32 zjarre të mëdhenj, që kanë djegur 152,678 hektarë tokë, krahasuar me vetëm 7 zjarre dhe 24,133 hektarë në të njëjtën periudhë të 2025-ës.