Së fundmi ka humbur jetën në moshën 111-vjeçare, Ruthie Tompson, animatorja me historinë më të gjatë në “Disney”. Tompson, e cila e filloi karrierën e saj në “Disney” si animatore në filmin e parë të animuar të “Disney”-t, “Borëbardha dhe shtatë xhuxhët” në vitin 1937, vdiq në mënyrë paqësore në shtëpinë e saj në Kaliforni.
Ajo gjithashtu punoi në klasikët e “Disney”-t si: “Pinocchio”, “Dumbo”, “Bambi” dhe “Bukuroshja e Fjetur”. Tompson lindi në 22 korrik 1910 në Portland, Maine dhe u rrit në Boston para se të transferohej në Oakland kur ishte tetë vjeçe dhe në Los Angeles në vitin 1924, pasi nëna e saj u divorcua dhe u martua përsëri. Shtëpia e saj ishte gjithashtu fare pranë ‘Studio Disney Bros’ në Kingswell Avenue.

Disa nga filmat më të mëdhenj artistike në të cilët Tompson punoi përfshijnë ‘Pinocchio’, ‘Fantasia’, ‘Dumbo’, ‘Sleeping Beauty’, ‘Mary Poppins’, ‘The Aristocats’ dhe ‘Robin Hood’. Ajo u tërhoq nga ‘Disney’ në 1975 dhe punoi në projekte për studio të tjera në dekadën që pasoi. Ruthie gjithashtu u nderua në vitin 2017 nga Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit, krahas grave të tjera të industrisë së hershme të animacionit.
Ndërkaq, historiania e ‘Disney’, Mindy Johnson tha se:
Ruthie ishte e jashtëzakonshme. Ajo ishte ndoshta lidhja e fundit nga origjina më e hershme e animacionit në Hollywood. Ruthie ishte një dëshmitare e gjallë dhe kontribuese jetike në përparimin dhe rritjen e industrisë së animacionit siç e njohim sot.

Tompson kur festoi 110 vjetorin e saj vitin e kaluar tha në atë kohë se nuk donte të nderohej për moshën e saj por për atë që ajo është. Ajo ofroi pak këshilla për jetën gjithashtu:
Argëtohu. Mundohu të bësh sa më shumë për veten tënde. Mbani mend të gjitha gjërat e mira në jetë.