Dita e madhe erdhi, Britania po mbërthen vëmendjen e Botës me dasmën e vitit. Princi Harry martohet me aktoren amerikane, Meghan Markle. Nusja e re e oborrit mbretëror do mbajë një fustan më vlerë 100 mijë stërlina, ndërsa drejt altarit do të shoqërohet nga vjehrri i saj, Princi Çarls. Ceremonia kishtare zhvillohet në 13:00 me orën tonë, në St.George’s Chapel në Kështjellën e Windsor-it. 600 janë të ftuarit në Kishë, 200 prej të cilëve do të mund të marrin pjesë dhe në festën private në Frogmore House. Zonjat e pranishme duhet të mbajnë kapele.
Pas ceremonisë kishtare, e programuar të zgjasë 60 minuta, Princi Harry e Meghan Markle si dy të sapomartuar do të jenë në bordin e një karroce të zbuluar e që tërhiqet nga 4 kuaj. Çifti pritet të përshkojë Castle Hill, High Street-in e Windsor Town-in për t’u ndalur në St George Hall. Paraditen e sotme, Mbretëresha Elizabetë do të presë 600 të ftuarit, 200 prej të cilëve pritet të shoqërohen në Frogmore House, për tortën, fotot, fjalimet rituale, muzikën e vallëzimet.
Ndërkaq, në rrugët e Londrës bien në sy masat e shtuara të sigurisë, për të garantuar mbarëvajtjen e Dasmës Mbretërore të Princit Harry me të fejuarën Meghan Markle. Krahas Policisë e Ushtrisë, autoritetet britanike kanë vënë në lëvizje dhe shërbimet e Inteligjencës për të parandaluar sulme të mundshme. Mbulimi mediatik i Martesës së Vitit është i paprecedentë, kjo dhe për shkak të problemeve të familjes së Markle-it.