Bota

Boksieri Joshua ngre flamurin shqiptar pas fitores ndaj Prengës

Anthony Joshua u rikthye te fitorja në mënyrë spektakolare, duke mposhtur me nokaut boksierin shqiptar Kristian Prenga në Xheda të Arabisë Saudite, në një duel që mbajti tifozët në ankth nga fillimi deri në fund.

Prenga e nisi sfidën në mënyrë të jashtëzakonshme, duke e rrëzuar dy herë në tapet ish-kampionin e dyfishtë të botës në raundin e parë. Joshua arriti të mbijetonte momentet më të vështira të karrierës së tij të fundit dhe, pas pushimit mes raundeve, reagoi si një kampion i vërtetë.

Britaniku e mbylli ndeshjen me nokaut teknik vetëm 27 sekonda para fundit të raundit të dytë, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt rikthimit në elitën e peshave të rënda.

Pas përfundimit të sfidës, Joshua bëri një gjest që mori duartrokitjet e publikut shqiptar. Ai ngriti lart flamurin kuqezi të Shqipërisë, në shenjë respekti për kundërshtarin Kristian Prenga dhe për tifozët shqiptarë të pranishëm në arenë. Momenti u shpërnda me shpejtësi në rrjetet sociale, ku u vlerësua si një akt sportiv dhe respekti mes rivalëve.

Joshua deklaroi se motivimin për të mos u dorëzuar e kishte gjetur te kujtimi i dy miqve të tij, të cilët humbën jetën në një aksident automobilistik në fund të vitit të kaluar. Ndërkohë, objektivi i radhës për britanikun mbetet superdueli i shumëpritur ndaj Tyson Fury, për të cilin palët kanë konfirmuar se kontrata është nënshkruar.