Prefektura e Qarkut Gjirokastër njofton qytetarët dhe përdoruesit e rrugës se, si pasojë e çarjes së karrexhatës për shkak të reshjeve të dendura të shiut, aksi rrugor “Përmet–Çarçovë”, në afërsi të vendit të quajtur “Ura e Petranit”, është i bllokuar për qarkullim.
Në terren ndodhen strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me strukturat e emergjencave civile dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARRSH), të cilat po punojnë intensivisht për rritjen e sigurisë, menaxhimin e situatës dhe ndërhyrjen për normalizimin e këtij segmenti rrugor.
Gjithashtu, është rritur prezenca e shërbimeve të Policisë së Shtetit në të gjitha akset e qarkut, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe ofrimin e ndihmës për përdoruesit e rrugës, në rast nevoje.
Prefektura e Qarkut Gjirokastër apelon për shmangien e lëvizjes në këtë aks rrugor, për kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjeteve dhe për respektim rigoroz të rregullave të qarkullimit rrugor.
Akset me prezencë bore
Akset rrugore në zonat malore në qarqet Shkodër, Korçë, Kukës, Gjirokastër, Dibër, si dhe Rruga e Arbërit, Rruga e Kombit dhe Llogaraja, kanë prezencë dëbore në rrugë. Në këto akse është i detyrueshëm përdorimi i gomave dimërore dhe i zinxhirëve, për të shmangur përfshirjen në ngjarje rrugore.
LEXO EDHE: Paralizohet qarkullimi në Elbasan, policia ndalon lëvizjen e mjeteve pa zinxhirë e goma dimërore!