Kitaristi legjendar Carlos Santana ka shtyrë një tjetër koncert në Teksas, këtë herë në Sugar Land, pas konfirmimit se është infektuar me COVID-19. Lajmi u bë i ditur përmes faqes zyrtare të artistit në Facebook, ku u theksua se Santana do të qëndrojë në hotel për t’u rikuperuar.
Koncerti i planifikuar për t’u mbajtur në “Qendrën Financiare Smart”, ishte pjesë e turit të tij “Oneness Tour”.
Ky është eventi i dytë i shtyrë në Teksas, pas anulimit të koncertit në San Antonio që ishte parashikuar për të martën, më 22 prill.
Fillimisht, menaxheri i Santanës, Michael Vrionis, deklaroi se 77-vjeçari kishte shfaqur shenja dehidrimi, por më vonë konfirmoi se kishte rezultuar pozitiv me COVID-19.
Turi muzikor i artistit nisi më 16 prill në Kaliforni dhe pritet të vijojë më 25 prill në Thackerville, Oklahoma, dhe më 26 prill në Tulsa.
Sipas njoftimit, koncertet e shtyra do të riplanifikohen në një datë tjetër, ndërsa fansat janë këshilluar të ruajnë biletat e tyre.
Faleminderit për urimet dhe interesimin e të gjithëve. Carlos mezi pret t’ju shohë shumë shpejt
– thuhet në deklaratën në rrjetet sociale.
Javën e ardhshme, Santana është planifikuar të performojë në Nashville dhe në New Orleans Jazz and Heritage Festival, përpara se të rikthehet në skenën e Las Vegas.