Aktualitet

Çështja Veliaj në Apel, sot vijon seanca për masën e sigurisë!

Erion Veliaj kërkon zhbërjen e arrestit me burg, në Apelin e Posaçëm rinis pas mesdite, seanca e shtyrë nga dje. Avokatët e Veliajt kanë kërkuar lirimin e tij, por mësohet se prokurorët e çështjes këmbëngulën që të mbahet në burgim, duke deklaruar se kanë siguruar prova të reja. Dje pasdite vonë, Gjykata vendosi të ndërpresë seancën dhe vijimin ditën e sotme.

Veliaj u arrestua më 10 shkurt, në zyrën e tij, nën dyshimet për “Korrupsion” dhe “Pastrim parash”. Për të njëjtat vepra penale, si edhe “Mosdeklarim të pasurisë”, fillimisht nën masë sigurie “Arrest shtëpie” e më pas “Detyrim për paraqitje”, u vendos bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa.

Referuar Prokurorisë, provat dhe faktet e grumbulluara krijojnë dyshimin e arsyeshëm se bëhet fjalë për një sistem të organizuar korrupsioni dhe shpërdorimi të fondeve publike, të shtrirë në kohë, sipas një skeme të vënë në funksionim nga kryetari i Bashkisë Tiranë dhe bashkëshortja e këtij të fundit. Prokurorët janë të mendimit se në qendër të kësaj skeme korrupsioni dhe pastrimi të produkteve që burojnë nga kjo vepër, rezulton të jetë titullari i institucionit, nënshkrimi i të cilit ka qenë përcaktues për shpërndarjen e fondeve publike, prej të cilave ai dhe familjarët e tij të ngushtë kanë përfituar drejtpërsëdrejti në mënyrë të parregullt.

Veliaj i ka hedhur poshtë në mënyrë kategorike dyshimet e ngritura ndaj tij. Në seancën e vlerësimit të masave të sigurisë, pak ditë pas arrestimit, ai pati një debat të ashpër me prokurorin Olsi Dado, të cilin e akuzoi për veprime të nxitura nga interesa personale. Sipas Veliajt, prokurorit iu refuzua nga bashkia, leja për disa kate shtesë, në një ndërtim në truallin e tij dhe disa bashkëpronarëve të tjerë e se një fakt i tillë ka nxitur hakmarrje personale ndaj kryetarit të bashkisë.

Veliaj i është drejtuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për të kërkuar nisjen e procedimit disiplinor ndaj prokurorit Dado dhe pezullimin e tij, duke qenë se “po vepron në konflikt interesi”.

Avokatët e kryebashkiakut kërkuan lirimin e tij, duke deklaruar se po mbahet në burgim pa një kriter ligjor, si dhe duke argumentuar se kryebashkiaku “nuk ka asnjë mundësi të prishë provat”, apo dhe “të largohet nga vendi për t’iu shmangur përballjes me Drejtësinë”. Ata kanë propozuar dhe mundësinë e lirimit të tij kundrejt një garancie pasurore apo dhe mbajtjen e pasaportës.

Nga ana tjetër, prokurorët kanë këmbëngulur në mbajtjen e tij në burg, duke deklaruar dje se ata kanë në zotërim, prova të reja kundër kryebashkiakut. Këto deklarime çuan në shtyrjen për sot të seancës, që avokatët të njihen me këto prova.

Arrestimi i Veliajt nxiti qëndrime të ashpra të kryeministrit Edi Rama ndaj Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme, për shkelje flagrante të standarteve apo abuzim me pavarësinë. Sipas tij, Veliaj u arrestua pa gjyq dhe pa prova e se Prokuroria e Posaçme, po vepron politikisht e balancuar, në hetimet që ka ndërmarrë.

Nga ana e tij, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, prokurori tjetër në çështjen Veliaj, u kundërpërgjigjën duke deklaruar se “SPAK-u ka treguar se është në gjendje, në respektim të ligjit dhe të Kushtetutës, të kryejë në pavarësi të plotë hetime të guximshme kundër zyrtarëve të lartë shtetërorë, çka dëshmon se epoka e paprekshmërisë po lëkundet”.