Një ngjarje e rëndë, në dukje aksidentale në setin e filmit amerikan “Rust” në Nju Meksiko të Shteteve të Bashkuara tronditi botën e kinematografisë dhe jo vetëm. Policia është ende duke hetuar zinxhirin e ngjarjeve që çuan në këtë aksident tragjik nga ku mbeti e vrarë kinematografja Halyna Hutchins dhe u plagos regjisori Joel Souza.
Sipas ‘Associated Press’, një ndihmës-regjisor padashur i dha Alec Baldwin një armë të mbushur dhe i tha atij se ishte e sigurt të përdorej, vetëm pak çaste para të shtënave. “Armë e ftohtë”,-tha ai, sipas një urdhri kontrolli të paraqitur në një gjykatë në Santa Fe. Urdhri nuk implikon asistent-regjisorin Dave Halls, duke pretenduar se ai nuk e dinte se arma ishte e mbushur, por thekson se arma ishte 1 nga 3 që armatuesja e filmit, Hannah Gutierrez, kishte vendosur në një karrocë pranë setit.
Në një intervistë të kohëve të fundit, Gutierrez kishte shprehur dyshimin për veten si një armatuese filmi duke qenë se ishte e re në këtë punë, sipas ‘TMZ’.
E dini, unë isha vërtet nervoze në fillim dhe pothuajse nuk e pranova punën, sepse nuk isha e sigurt nëse isha gati … por, duke e bërë atë, shkoi pa probleme.

Policia e Santa Fe hoqi provat nga vendi i ngjarjes, përfshirë kostumin e Baldwin-it të lyer me gjak nga filmi, armën që u shkrep, si dhe armë të tjera mbështetëse dhe municione që përdoreshin në xhirime. Disa orë para tragjedisë, disa punonjës të ekuipazhit të kamerave u larguan nga sheshxhirimi për të protestuar ndaj kushteve të punës. Sipas burimeve të brendshme, disa nga ankesat e tyre përfshinin orë të gjata pune, udhëtime të gjata dhe pritje për pagat e tyre.

Më e rëndësishmja ishte shqetësimi i tyre me protokollet e sigurisë përfshirë inspektimet e armëve që nuk ndiqeshin rreptësisht në xhirime. Të paktën një nga operatorët e kamerave thuhet se u ankua fundjavën e kaluar te një menaxher prodhimi për sigurinë e armëve në xhirim.
‘LAT’ raporton se dikush në grup ishte alarmuar nga zjarri i armës së përdorur në xhirime dhe i komunikoi shqetësimet e tij menaxherit të prodhimit përmes një mesazhi me tekst. Në një mesazh sipas “LAT’ thuhej se:
Tani kemi pasur 3 shkarkime aksidentale. Kjo është super e pasigurt.
Rikujtojmë, se së fundmi ka qenë regjisori i plagosur Joel Souz i cili ka reaguar për herë të parë pas ngjarjes tragjike.