Celebrities Showbiz

Tragjedia në sheshxhirim, vjen reagimi i parë nga regjisori Joel Souza që mbeti i plagosur!

Së fundmi kinematografia amerikane u trondit nga një ngjarje e rëndë, në dukje aksidentale në setin e filmit amerikan “Rust” në Nju Meksiko të Shteteve të Bashkuara. Protagonisti i realizimit Western, Alec Baldwin qëlloi me pistoletë, por arma ishte e mbushur dhe nga të shtënat humbi jetën Drejtorja e Fotografisë, Halyna Hutchins si dhe u plagos regjisori Joel Souza.

Së fundmi ka qenë regjisori Joel Souz i cili ka reaguar për herë të parë pas ngjarjes tragjike. Ai tha në një deklaratë për “Fox News” se:

Jam i mërzitur nga vdekja e shoqes dhe koleges sime, Halyna. Ajo ishte e sjellshme, jashtëzakonisht e talentuar dhe luftoi për çdo centimetër e gjithmonë më shtynte të bëhesha më i mirë. Në këtë moment të vështirë ngushëllimet e mia shkojnë për familjen e saj. Jam i përulur dhe mirënjohës nga dashuria që kemi marrë nga komuniteti ynë i kineastëve, njerëzit e Santa Fe dhe qindra të huajt që kanë arritur… Kjo me siguri do të më ndihmojë në shërimin tim.

Nga ana tjetër, aktori Alec Baldwin postoi një deklaratë në rrjetin e tij social Twitter në lidhje me ngjarjen e rëndë gjatë xhirimeve të filmit “Rust”. Një burim tha për “People” se ngjarja tragjike ka qenë tepër e vështirë për Baldwin.

Alec ende po përpiqet të kuptojë gjithçka që ka ndodhur. Kjo ka qenë shkatërruese.

Gjithashtu modelja e njohur Hailey Bieber vendosi që të reagonte dhe të ndante mesazhin e saj në rrjetin social Instagram në lidhje me tragjedinë e ndodhur. Në një postim të ndarë me 38.8 milionë ndjekësit e saj, supermodelja 24-vjeçare tha se ajo ishte ‘plotësisht zemërthyer’ për vdekjen e parakohshme të Hutchins.

Ndërkaq, ne ju rikujtojmë se vdekja e Drejtores së Fotografisë, Halyna Hutchins, në sheshxhirimin e filmit Western, “Rust”, rikthen vëmendjen te fatalitete të ngjashme. Episodet tragjike e të pashpjegueshme, nuk janë të izoluara në historinë e kinemasë, lidhur me përdorimin e armëve të zjarrit në filma.