Bota Rajoni

Charles Michel: Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi është thelbësor

Kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka deklaruar se dhe kthimi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është thelbësor.

“Së bashku me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe kolegët e BE-së, u takova me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe më pas me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. De-eskalimi dhe kthimi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është thelbësor”, ka shkruar Mishel në rrjetin social X, dikur Twitter.

Ai tha se pret që Komisioni Evropian të diskutojë më tej për këtë temë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Sërbisë, Aleksandar Vuçiç, zhvilluan takime të ndara sot në Bruksel (26 tetor) me liderët evropianë. Kurti dhe Vuçiç u pritën veç e veç nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, si dhe përfaqësues të lartë të BE-së.

Meloni tha se dy udhëheqësve u është kërkuar të bëjnë hapa përpara “në zbatimin e dokumenteve dhe marrëveshjeve të arritura në muajt dhe vitet e fundit”.

Ndërkohë shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, paralajmëroi mundësinë e takimeve të reja të udhëheqësve evropianë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Ato shihen si përpjekje për të ringjallur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, pas sulmit të armatosur në Banjskë.

“Puna është në vazhdim e sipër. Ndoshta duhet të largohemi nga samiti i BE-së dhe të ulemi sërish me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë dhe të shohim nëse mund të gjejmë ndonjë zgjidhje përmes dialogut. Nuk ka zgjidhje tjetër. Rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë kalon përmes këtij dialogu”, u tha Borrell gazetarëve.

Burimet e BE-së thonë se “gjërat po ecin”, por nuk saktësojnë se për çfarë bëhet fjalë konkretisht.

Kurti dhe Vuçiç u takuan për herë të fundit më 14 shtator, por pa ndonjë përparim. Dhjetë ditë më vonë ndodhi sulmi në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë një zyrtar policor. Gjatë përleshjeve, që nxitën shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon, u vranë edhe tre sulmues serbë. Duke folur për gazetën britanike, Financial Times, më 25 tetor, Kurti tha se “nëse nuk do të ketë dënime dhe sanksione ndaj Serbisë pas asaj që ka bërë, definitivisht nuk do të ketë dialog”. Ky proces që synon normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë nisi në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së.