Ministrja e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunović, ka shkaktuar reagime të forta me deklaratat e saj për Kosovën dhe periudhën e luftës së vitit 1998.
Gjatë një interviste për televizionin serb “Kurir”, Paunović deklaroi se nëse do të kishte qenë në vendin e ish-presidentit jugosllav Slobodan Millosheviç në vitin 1998, do të kishte ndërmarrë një politikë të spastrimit etnik në Kosovë.
“Nëse do të kisha qenë në vendin e Millosheviqit në vitin 1998, do ta kisha pastruar etnikisht Kosovën. Dhe ky është kualifikimi më i ashpër që kam thënë ndonjëherë. Jo në mënyrën se si duan të na likuidojnë, por në një mënyrë të tillë që të mos ndihen pjesë e Serbisë dhe të shkojnë në vendin e tyre amë”, u shpreh ajo.
Deklarata e ministres serbe ka rikthyer në vëmendje qëndrimet e saj të mëparshme kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Paunović është njohur edhe më herët për retorikën e saj të ashpër politike ndaj Prishtinës.
Në vitin 2022, kur mbante postin e nënkryetares së Parlamentit të Serbisë, ajo bëri thirrje për arrestimin dhe largimin nga vendi të deputetit të vetëm shqiptar në parlamentin serb, Shaip Kamberi.
Gjatë një seance ku u diskutua dialogu Kosovë-Serbi, Paunović deklaroi: “Nëse kemi bërë gabim duke e liruar Albin Kurtin nga burgu, le të mos e bëjmë të njëjtin gabim duke mos e arrestuar Shaip Kamberin. Nëse kjo nuk është e mundur, duhet ta largojmë që këtej”.
Deklaratat e saj të fundit kanë shkaktuar reagime të shumta, për shkak të referencave ndaj një prej periudhave më të rënda të konfliktit në Kosovë dhe historisë së spastrimit etnik gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.