Health & Beauty Lifestyle

Cila është shenja e hershme që tregon nivelin e lartë të sheqerit në gjak?

Sheqeri i lartë në gjak është një problem shëndetësor që shpesh kalon pa u vënë re, deri në momentin kur shfaqen simptoma më të rënda dhe të rrezikshme.

Sipas ekspertëve, shumë njerëz nuk e kuptojnë në kohë se nivelet e glukozës në trup janë të larta, duke rrezikuar ndërlikime serioze nëse nuk marrin trajtimin e duhur.

Mjekët endokrinologë theksojnë se një nga shenjat më të hershme dhe më të dukshme është etja e tepërt.

Ky fenomen lidhet drejtpërdrejt me punën e shtuar të veshkave, të cilat përpiqen të largojnë glukozën e tepërt nga organizmi.

Si pasojë, trupi dehidratohet dhe shfaqet etja e fortë, e shoqëruar shpesh me urinim të shpeshtë.

Është një nga simptomat që shohim më shpesh tek pacientët kur sheqeri në gjak rritet ndjeshëm

-shpjegon endokrinologia Dr. Samar Singh për revistën “Parade”.

Ndërkohë, Dr. Yoon Kook paralajmëron se shumë njerëz tentojnë të shuajnë etjen me lëngje të ëmbla ose pije të gazuara, gjë që e përkeqëson edhe më shumë situatën duke rritur nivelet e sheqerit dhe dehidratimin.

Mjekët këshillojnë që, nëse etja e tepërt shoqërohet me urinim të shpeshtë, të kryhet menjëherë një analizë gjaku.

Një test i thjeshtë mund të zbulojë nivele të larta të glukozës dhe të ndihmojë në diagnostikimin e hershëm të diabetit ose gjendjes së prediabetit, kur trajtimi është më i lehtë dhe më efektiv.

Përveç etjes, shenjat e tjera që duhet të ngjallin dyshime për nivel të lartë sheqeri janë: dhimbje koke, shikim i turbullt, uri e shtuar, lodhje, humbje peshe apo shërim i ngadaltë i plagëve.

Nëse hiperglicemia nuk trajtohet, mund të çojë në ndërlikime serioze si ketoacidoza diabetike, sëmundjet e zemrës, goditja në tru, dëmtimi i veshkave apo edhe humbja e shikimit.

Specialistët theksojnë se ndryshimet e thjeshta në stilin e jetës mund të ulin ndjeshëm rrezikun.

Një dietë e shëndetshme, aktiviteti fizik i rregullt, ulja e konsumit të alkoolit dhe ndërprerja e duhanit janë hapa të rëndësishëm për parandalimin.

Edhe gjërat e vogla, si një shëtitje pas ushqimit ose shmangia e pijeve me sheqer, mund të bëjnë diferencë të madhe në kontrollin e sheqerit në gjak

-përfundon Dr. Singh.