Pas rritjes së fortë të kursimeve në vitet pas pandemisë, ekonomia shqiptare po hyn në një fazë ku familjet dhe sektorët e tjerë po shpenzojnë një pjesë gjithnjë e më të madhe të të ardhurave të tyre në vend që t’i kursejnë.
Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se kursimi bruto arriti në 536 miliardë lekë në vitin 2025, nga 517 miliardë lekë një vit më parë, një rritje prej vetëm 3.6%. Në vitin 2024 ky ndryshim ishte 10.5%.
Edhe pse kursimet kanë arritur nivelin më të lartë historik, ritmi i zgjerimit është ngadalësuar ndjeshëm krahasuar me vitet e mëparshme.
Në vitin 2021, kursimi bruto ishte rreth 344 miliardë lekë. Ai kapi nivelin e 406 miliardë lekëve në 2022 me një rritje vjetore prej 18 për qind. Kursimet bruto në ekonomi u rriten me ritme dyshifrore pas pandemisë po kjo tendencë ndryshoi në 2025, pasi zgjerimi ishte shumë modest.
Ky frenim i kursimeve erdhi në një kohë kur të ardhurat e disponueshme të familjeve vijuan zgjerimin dhe pagat shënuan një tjetër vit me rritje të fortë.
Të dhënat tregojnë se familjet nuk po i kanalizojnë të ardhurat shtesë në kursime, por po i përdorin gjithnjë e më shumë për konsum.
Ky zhvillim shpjegon edhe rritjen e vazhdueshme të konsumit privat, i cili mbetet motori kryesor i ekonomisë shqiptare. Gjithashtu kostot e jetesës janë rritur dukshëm nga çmimet më të larta në të gjitha grupet e konsumit dhe sidomos disa shërbimeve si qiraja dhe shërbimet arsimore, të cilat po gërryejnë aftësinë e shtresës së mesme për të kursyer.
Nga këndvështrimi makroekonomik, një nivel më i lartë konsumi mbështet rritjen ekonomike në afat të shkurtër, pasi nxit kërkesën për mallra dhe shërbime. Por ritmi më i ngadaltë i kursimeve mund të kufizojë në të ardhmen burimet e brendshme për investime dhe të rrisë varësinë nga financimi i jashtëm.
Teksa familjet ndihen më të sigurta për të konsumuar, ndërsa bizneset përballen me fitime më të ulëta dhe kosto më të larta, duke çuar në një kombinim që mund të ndryshojë modelin e rritjes ekonomike në vitet e ardhshme./Monitor