Lifestyle

“Paraja në dorë është mbret”, truku për të kursyer!

Shprehja “Paraja në dorë është mbret” (cash is king) nuk vlen më për brezat e rinj. Ata preferojnë kartat bankare dhe pagesat dixhitale. Një sondazh i fundit nga platforma Cash App me mbi 2 mijë amerikanë tregon se gati një e treta e të rinjve të brezit Z mendojnë se njerëzit që përdorin para fizike janë “jashtë mode”. Për ta, pagesat me kartë janë më moderne dhe më praktike.

Megjithatë, shumica e tyre pranojnë se kur paguajnë me karta, janë më të prirur të shpenzojnë pa menduar. 54% e të rinjve të brezit Z dhe një përqindje e ngjashme e mijëvjeçarëve e pohojnë këtë, ndërsa vetëm një e treta e brezave më të mëdhenj ndihen kështu.

Sipas terapistes financiare Lindsay Bryan-Podvin, “po shfaqen ndarje të qarta brezash në mënyrën si e perceptojnë paranë”.

Brezat më të vjetër e shohin paranë në dorë si diçka reale dhe të prekshme, ndërsa për të rinjtë që janë rritur me aplikacione dhe karta, ajo ndjesi është zbehur.

Si ndikon mënyra e pagesës në shpenzime

Kërkime të shumta kanë treguar se njerëzit harxhojnë më pak kur përdorin para fizike sesa karta. Të dhënat e Bankës Federale të Bostonit tregojnë se konsumatorët tradicionalisht kanë përdorur para për blerje të vogla, por në vitin 2024, për herë të parë, pagesat me kartë debiti u barazuan me ato me para për shuma nën 25 dollarë.

Një studim i MIT ka zbuluar se psikologjikisht, njerëzit ndihen më të qetë kur shpenzojnë me kartë krediti, pra, kartat i “zbusin” frenat emocionale të harxhimit.

Strategjitë si “kursimi me zarfe”, ku çdo shpenzim ndahet në zarfe të veçanta, kanë qenë dikur shumë efektive për të ruajtur kontrollin financiar. Por sipas Bryan-Podvin, për brezat e rinj që jetojnë në një botë dixhitale, ato kanë më pak ndikim.

Të rinjtë janë mësuar të kontrollojnë llogarinë përmes telefonit, kështu që nuk e ndjejnë “realitetin” e humbjes kur paguajnë me kartë.

Për ta, versioni modern i kursimit me zarfe mund të jetë ndarja e fondeve në llogari të ndryshme dixhitale, për shembull, një kartë ose llogari e veçantë vetëm për argëtim. Nëse karta nuk funksionon, ai është “sinjali” i tyre se buxheti ka mbaruar.

Kur paraja në dorë mund të jetë rrezik

Ekspertët paralajmërojnë se mbajtja e kursimeve në shtëpi nuk është më zgjedhja më e sigurt. Përveç mungesës së interesit, rrezikon humbje nga zjarret, përmbytjet apo vjedhjet.

“Është mirë të mbash një shumë të vogël për raste urgjente, por kursimet duhen mbrojtur në bankë,” thotë Bryan-Podvin.

Ajo shton se llogaritë me interes të lartë, sigurimi i depozitave dhe mundësia për të bllokuar kartën në rast vjedhjeje i bëjnë bankat një zgjedhje më të mençur për çdo brez, pavarësisht nëse preferojnë kartat apo paratë në dorë. /shqip.al