Bota

Çmimi i naftës zbret në rreth 80 dollarë për fuçi!

Çmimet e naftës ranë sot pasi bisedimet në Zvicër mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, përfunduan me deklaratën e Teheranit se kishte siguruar përjashtime për eksportet e naftës dhe produkteve petrokimike, duke zbutur shqetësimet për mungesë furnizimi në tregjet globale.

Nafta e tipit Brent ra me 1.68 dollarë, ose 2.09%, duke zbritur në 78.89 dollarë për fuçi. Më herët, çmimi kishte arritur në 82.30 dollarë për fuçi, i nxitur nga tensionet në fillim të negociatave, kur presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi me rifillimin e luftës kundër Iranit, ndërsa Teherani njoftoi sërish mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.

Kontratat e naftës amerikane West Texas Intermediate (WTI) ranë gjithashtu në 76 dollarë për fuçi, ndërsa kontrata më aktive për muajin gusht zbriti në 75.16 dollarë për fuçi.

Zyrtarë të lartë amerikanë dhe iranianë sot përfunduan raundin e parë të bisedimeve në Zvicër. Negociatat nisën dje, mbi bazën e një memorandumi mirëkuptimi të arritur javën e kaluar, i cili synon zgjatjen e armëpushimit të brishtë të vendosur në prill për të paktën 60 ditë të tjera.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi deklaroi se vendi i tij kishte siguruar përjashtime për eksportet e naftës dhe petrokimikateve, lirimin e një pjese të aseteve të ngrira dhe nisjen e një plani rindërtimi dhe zhvillimi për Iranin.

Sipas vlerësimeve të ekspertëve, një marrëveshje e tillë mund të rikthejë në tregjet ndërkombëtare rreth 1.5 milion fuçi naftë iraniane në ditë, duke përmirësuar ndjeshëm furnizimin global në një kohë kur rritja e kërkesës mbetet e moderuar.

Megjithatë, çmimet e naftës ranë me më shumë se 8% javën e kaluar, të nxitura nga pritshmëritë për rritje të furnizimit përmes lirimit të ngarkesave të bllokuara në Gjirin Persik dhe mundësisë së heqjes së disa sanksioneve amerikane ndaj naftës iraniane.

Ndërkohë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti dhe Iraku kanë ofruar sasi shtesë nafte për klientët e tyre gjatë javës së fundit. Iraku ka njoftuar edhe se planifikon të rrisë gradualisht prodhimin e naftës në mes 4.2 dhe 4.3 milion fuçive në ditë.