Bordi i Transparencës ka vendosur uljen e çmimeve të karburanteve në tregun vendas, duke reflektuar luhatjet e fundit në tregjet ndërkombëtare. Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e datës 17 qershor 2026, çmimi i naftës është ulur me 4 lekë për litër, ndërsa ai i benzinës me 2 lekë për litër.
Sipas vendimit të ri, gazoili i standardit SSH EN 590 do të tregtohet me pakicë jo më shumë se 176 lekë për litër dhe me shumicë jo më shumë se 164 lekë për litër. Ndërkohë, benzina do të shitet me pakicë jo më shumë se 166 lekë për litër dhe me shumicë jo më shumë se 154 lekë për litër.
Çmimet e reja kanë hyrë në fuqi këtë të mërkurë, më 17 qershor, në orën 13:00 dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës, ku do të rishikohen sërish në bazë të zhvillimeve të tregut.
Bordi u ka kujtuar operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë të karburanteve detyrimin për zbatimin e vendimit, duke paralajmëruar se në rast të shkeljeve do të merren masa deri në pezullimin e aktivitetit.
Në njoftim sqarohet gjithashtu se çmimet aktuale të naftës dhe benzinës mbeten nën kufijtë e përcaktuar nga Akti Normativ nr. 1, datë 3 prill 2026. Për këtë arsye, për karburantet do të vazhdojë të zbatohet niveli i plotë i akcizës, pra 100%, dhe jo niveli i reduktuar prej 80%, i cili aktivizohet vetëm kur çmimi i naftës kalon 220 lekë për litër ose ai i benzinës 200 lekë për litër.
Ndërkohë, për gazoilin e përdorur nga sektori i peshkimit, i cili përjashtohet nga taksa e qarkullimit, taksa e karbonit dhe akciza sipas legjislacionit në fuqi, çmimi i shitjes rezulton 81 lekë për litër.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë theksojnë se do të vijojnë monitorimin e tregut me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme.