Vijon të jetë e qëndrueshme situata e pandemisë në vend. Në 24 orët e fundit, Ministria e Shëndetësisë raportoi vetëm 5 persona të infektuar, ndërsa fatmirësisht nuk ka asnjë humbje jete.
Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 1881 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 5 qytetarë. Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 2 raste në Lezhë, nga 1 rast në Tiranë, Berat, Malësi e Madhe.
Aktualisht numri i të prekurve që nga fillimi i epidemisë, ka shkuar në 132 mijë e 379, ndërsa ai i viktimave mbetet 2 mijë e 451. Aktualisht po marrin trajtim spitalor 28 pacientë, nga të cilët 5 janë në terapi intensive. Në 24 orët e fundit janë shëruar 37 qytetarë, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 129 mijë e 664 që nga marsi 2020.
Ministria e Shëndetësisë u bën apel qytetarëve të vijojnë të zbatojnë me përpikmëri rregullat për parandalimin e COVID19: “Vendosni maskën mbrojtëse në çdo ambient të mbyllur dhe kudo ku nuk mund të ruhet distancimi fizik, kujdesuni për higjenën vetjake dhe vetëizolohuni kur dyshoni se jeni të prekur nga COVID19”.
Nuk duhet neglizhuar asnjë shenjë e sëmundjes thonë ekspertët, pasi Sars-Cov2 është ende mes nesh.
Ndërkaq, Kosova regjistroi sot një viktimë dhe 11 raste të reja me koronavirus. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike njoftoi se në 24 orët e fundit janë shëruar edhe 146 pacientë, që çon totalin në 104 mijë e 54 që nga fillimi i epidemisë.
Raste aktive me koronavirus në Kosovë janë rreth 2 mijë. Sa i përket të vaksinuarëve, deri më sot në Kosovë janë 80 mijë e 126 persona që kanë marrë dozën e parë të vaksinës.