Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, nuk e komentoi marrëveshjen e 10 korrikut mes Bashkimit Europian dhe Kosovës, rreth hapave për shtensionimin e situatës në veri. Por, foli lidhur me kërkesat që komuniteti ndërkombëtar i ka vendosur Beogradit e Prishtinës, për uljen e tensioneve.
Tani do të shihni një tjetër truk që disa njerëz në Perëndim po përpiqen ta zbatojnë. Kjo nënkupton që ata do të thonë: kthehuni dhe flisni normalisht! Mënyra që kërkohet për shtensionimin e situatës në veri, nuk ka kuptim për mua.
Shtensionimi është kur tërheqin 25% të diçkaje? Një Zot e di se çfarë do të thotë kjo, por ata po kërkojnë një arsye të mjaftueshme për të fajësuar Serbinë.
Vuçiç iu referua vendimit të qeverisë së Kosovës për të zvogëluar praninë policore në veri. Një ditë më parë, Unioni konfirmoi se Kosova ka pranuar të reduktojë praninë e policisë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviç e Zubin Potok dhe që banohen me shumicë serbe. Prishtina do të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën.
Të gjithë hapat do të finalizohen brenda një periudhe dyjavore.
Dakordësia u arrit gjatë një takimi joformal të mbajtur në Bratisllavë mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Po ashtu, Kosova e Unioni u dakordësuan dhe për disa hapa të tjerë.
Me EULEX-in dhe KFOR-in, Policia e Kosovës do të vlerёsojё gjendjen e sigurisё, pёr tё parë mundёsinё “pёr zvogёlimin e mёtejshëm tё pranisë policore nё ndёrtesat e katër komunave në veri.
Bashkimi Europian njofton se javën e ardhshme, kryenegociatorёt e Kosovës e Serbisë do të takohen në Bruksel për “të vazhduar diskutimet mbi zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve dhe aneksin e saj”. Kjo me shpresën që palët të bien dakord për hapat e ardhshëm që mundësojnë zbatimin e plotë të marrëveshjes, pa vonesa.