Aktualitet

Zbardhet dinamika e tragjedisë me tre viktima në Roskovec!

Top Channel ka mundur të zbardhë dinamikën e plotë të tragjedisë së ndodhur në fshatin Vidhishtë të Roskovecit, ngjarje që dje u mbyll me tre viktima.

Sipas informacioneve të siguruara dhe dëshmive të mbledhura, rreth orës 05:00 të mëngjesit, 35-vjeçari Refit Buzi, i njohur edhe me emrin Nertil Buzi, hyri i armatosur me një armë gjahu në banesën e familjes Plaka.

Në ato momente, bashkëshortët Kosta (Arben) dhe Belere Plaka po përgatiteshin të niseshin për në punë.

Menjëherë pas hyrjes në banesë, autori hapi zjarr ndaj çiftit. Kosta Plaka humbi jetën në vend, ndërsa bashkëshortja, mbeti e plagosur rëndë. Ajo u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fierit, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale që zgjati më shumë se pesë orë, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.

Pas krimit, 35-vjeçari ka marrë me forcë vajzën e tyre 24-vjeçaren, me të cilën kishte pasur një lidhje prej nëntë vitesh dhe u largua nga pjesa e pasme e banesës. Më pas, iu drejtua fshatit Kurjan, ku pas disa orësh ndjekjeje nga forcat e policisë, e la të renë të lirë dhe pa lëndime.

Operacioni për kapjen e autorit vijoi për disa orë. Pavarësisht negociatave të pandërprera me efektivët e Policisë së Shtetit, që zgjatën rreth shtatë orë, 35-vjeçari refuzoi të dorëzohej dhe në fund i dha fund jetës duke kryer vetëvrasje.

Një histori e nisur vite më parë si një lidhje mes dy të rinjve përfundoi në mënyrën më tragjike, duke lënë pas tre viktima dhe dy familje të shkatërruara.