Bota

Danimarka kundër toneve të JD Vance për Groenlandën!

Danimarka “nuk e vlerëson tonin e përdorur” nga zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, i cili kritikoi ashpër mosveprimin e pretenduar të Kopenhagës në Groenlandë. Komentet u bënë sot nga ministri i Jashtëm danez, Lars Rassmussen.

Ne jemi të hapur ndaj kritikave, por për të qenë plotësisht i sinqertë, ne nuk e vlerësojmë tonin me të cilin ai u shpreh, tha Rassmussen në një video në gjuhën angleze në X. Kjo nuk është mënyra se si u drejtoheni aleatëve tuaj të ngushtë dhe unë ende i konsideroj Danimarkën dhe Shtetet e Bashkuara si aleate të ngushta.

Duke vizituar dje bazën e vetme ushtarake amerikane në Groenlandë, numri dy i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se Danimarka “nuk ka bërë një punë të mirë për popullin e Groenlandës”, duke e kritikuar atë në veçanti se nuk ka investuar mjaftueshëm në ishullin e pamasë të Arktikut e që Donald Trump lakmon.

Marrëveshja e Mbrojtjes e vitit 1951 iu ofron Shteteve të Bashkuara të Amerikës shumë mundësi për të pasur një prani shumë më të fortë ushtarake në Groenlandë. Nëse kjo është ajo që dëshironi, le ta diskutojmë, u përgjigj ministri danez, duke iu referuar tekstit që rregullon praninë amerikane në Groenlandë.

Në vitin 1945, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin 17 baza dhe instalime ushtarake në Groenlandë e mijëra trupa. Ne mund të bëjmë më shumë, shumë më tepër brenda kornizës aktuale, shtoi ai.

Baza amerikane në Pituffik është një postë e mbrojtjes raketore amerikane, pasi trajektorja më e shkurtër e raketave nga Rusia në Shtetet e Bashkuara kalon përmes Groenlandës. Donald Trump përsëriti edhe një ditë më parë se ai ka nevojë për Groenlandën dhe kjo është shumë e rëndësishme, për sigurinë ndërkombëtare.

Zëvendëspresidenti i tij përjashtoi përdorimin e forcës për të arritur qëllimet duke siguruar se ai do të kishte sukses të bindte groenlandezët të bashkoheshin me Shtetet e Bashkuara e Amerikës, si dhe të nënshkruanin një marrëveshje me ta.

Groenlanda sapo ka formuar një qeveri të re koalicioni dhe shumica e groenlandezëve duan pavarësinë e territorit, i cili gëzon një shkallë të madhe autonomie brenda Mbretërisë së Danimarkës.