Shtetet e Bashkuara veçuan Kinën, Rusinë, Iranin dhe Korenë e Veriut si abuzuese me të drejtat e njeriut, ndërsa qeveritë e këtyre vendeve i cilësuan si forca destabilizuese. Duke komentuar raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në botë në vitin 2017, Sekretari i Shtetit në detyrë, John Sullivan kritikoi gjithashtu qeveritë në Siri, Turqi, Mianmar dhe Venezuelë, për abuzime me të drejtat e njeriut. Raporti i DASH konsiderohet si përmbledhja më gjithëpërfshirëse e situatës së të drejtave të njeriut, duke mbuluar 200 shtete dhe territore në botë.