“Thirrja e hapur e deputetes Fitore Pacolli për ndërhyrje të drejtpërdrejtë të Qeverisë së Kosovës për të kontrolluar mediat, nuk është e pranueshme, pasi po perceptohet edhe si rrezik për lirinë e fjalës dhe demokracinë”. Kështu thuhet në deklaratën e Platformës Rajonale të Ballkanit Perëndimor – Safe Journalists. Safe Journalists, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës kanë reaguar ndaj deklaratës së deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, e cila ka kërkuar marrjen e masave nga Kuvendi dhe Qeveria për problemet, që sipas saj, kanë mediat në vend.
Edhe si Kuvend, edhe si Qeveri duhet të marrim masa… vitet e fundit janë parë investime të mëdha private në media, përmes së cilave është krijuar mundësia e ndërhyrjes dhe ndikimit në disa mediume kryesore e ato online, të cilat po përdoren për qëllime biznesi dhe shantazh politik. Pra, këtu kërkojmë vëmendjen e Kuvendit dhe Qeverisë që të marrim masa e të kuptojmë më shumë se çfarë po ndodhë me funksionimin e medias, transparencën dhe identifikimin e pronësisë së mediumeve.
Safe Journalists thotë se “dënon çdo iniciativë të qeverive që synojnë kontrollin mbi median, pasi këto përpjekje janë të papranueshme në vendet demokratike”.
Çdo kërcënim ndaj lirisë së medias është kërcënim për interesin publik, demokracinë dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve.
Rrjeti Safe Journalists përfaqëson më shumë se 8 mijë e 200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) në një deklaratë të përbashkët kanë shprehur shqetësimin për fjalimin, siç thonë, “kundër mediave në Kosovë”.
Thirrja e hapur e deputetes Pacolli për ndërhyrje direkte të Qeverisë për kontroll ndaj mediave është e papranueshme për AGK-në dhe KMSHK-në dhe paraqet rrezik për lirinë e medias në vend. Mediat, shumica e të cilave janë të regjistruara si biznese në ARBK (Agjencia për Regjistrim të Bizneseve të Kosovës), ndërsa një pjesë tjetër si OJQ (Organizatë Jo-Qeveritare), rregullojnë veprimtarinë e tyre nëpërmjet ligjeve përkatëse në Kosovë e rregulloreve të Komisionit të Pavarur të Mediave dhe Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës. Çdo përpjekje e Qeverisë për të ushtruar kontroll mbi mediat është tentativë e papranueshme për të ndërhyrë në punën e tyre. Ky është kërcënim serioz i pushtetit aktual kundër mediave.