Aktualitet

Dëmtoi legenin, lirohet nga qelia ish-shefi i Rrugores së Tiranës/Roven Zeka në arrest shtëpie!

Ish-shefi i Komisariarit Rrugor të Tiranës, Roven Zeka, u lirua nga qelia me vendim të Gjykatës së Posaçme.  Zeka do të qëndrojë në arrest shtëpie. Masa e sigurisë u ndryshua për shkak të gjendjes shëndetësore të ish-shefit të Rrugores Tiranës dhe pas mbërritjes së përgjigjes nga ekspertiza mjekësore. Roven Zeka kërkoi lirimin nga qelia për shkak se ka dëmtuar legenin gjatë rrëzimit në paraburgim.

Nga SPAK-u, Zeka akuzohet për korrupsion lidhur me procedurat për një aksident rrugor. Më herët, masa e arrestit në burg u la në fuqi nga Apeli i GJKKO-së ndaj tij dhe oficerit Edison Tabaku ndërsa shefi i Hetimit të Aksidenteve, Sokol Novaku u lirua në arrest shtëpie për shkak të rrethanave familjare.

Për një çështje korrupsioni, Roven Zeka u arrestua më 19 prill të këtij viti me urdhër të SPAK-ut, bashkë me dy ish-zyrtarë të tjerë policie.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Roven Zeka dhe dy ish-zyrtarët Edison Tabaku (oficer i policisë gjyqësore) dhe Sokol Novaku (shef i sektorit të aksidenteve), dyshohet se kanë marrë para nga një grua e cila kishte bërë aksident, që prej tyre të mos referohej çështja në prokurori dhe për aksidentin të mos nisnin hetimet.