Aktualitet Rajoni Sport

Dhuna ndaj sportistes: Trajneri Fetiu pezullohet 6 muaj nga garat në Taekwondo!

Federata Evropiane e Taekwondos mori vendim duke pezulluar për gjashtë muaj trajnerin nga Kosova, Valmir Fetiu, për shkak se ushtroi dhunë ndaj sportistes që stërviste. Po ashtu, Fetiut i janë ndaluar të gjitha garat kombëtare e ndërkombëtare për të njëjtën periudhë kohore. Ngjarja ndodhi gjatë fundjavës së kaluar në garat evropiane që u mbajtën në Tiranë.

Vetë Fetiu e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë masën e marrë ndaj tij dhe madje e ka konsideruar “të drejtë”.

Jam penduar shumë, jam penduar me jetën time, vajza ime është gjëja më e shtrejtë për mua.

Por pretendoi se nuk e ka rrahur sportisten duke thënë se vetëm ka tentuar ta qetësojë, ndonëse në disa pamje të publikuara në rrjetet sociale, shihet duke e goditur në fytyrë. Ndër të tjera, paralajmëroi se gjatë ditës do të takohet edhe me përfaqësues të bordit të Federatës së Taekwondos së Kosovës për të diskutuar më shumë detaje.

Federata e Kosovës nuk iu përgjigj një kërkese të Radios Evropa e Lirë për koment. Ndërkaq, pamjet janë dënuar ashpër në platformat sociale dhe dhuna e dokumentuar u konsiderua “e patolerueshme”.