BEST OF LIVE FROM TIRANA
I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë Bektash Mërkuri. Ai ka folur më shumë për interesin në rritje të njerëzve që të merren me arte marciale dhe veçanërisht për Taekwondo…
Përveç përfitimeve mendore, që të stërvit mendjen dhe të mëson disiplinën, çfarë përfitimesh fizike të sjell ky lloj sporti?
Baza është përfitimi fizik, ti përfiton pjesën e atletit, je shumë i aftë në lëvizje, je shumë i aftë në pjesën e energjisë. Ti zgjohesh në mëngjes dhe je plot me energji. Kjo të krijon një disiplinë nga ana mendore por dhe nga ana fizike, që ti je gati. Gati për të shkuar në punë, gati për të kryer diçka, apo çdo lloj gjëje me të cilën ti e kalon ditën.
Zgjedhin njerëzit të bëjnë Taekwondo edhe për të bërë një trup të mirë?
Patjetër. Të ndihmon edhe më shumë se palestra. Të krijon një trup të lidhur. Unë përfaqësoj pjesën e arteve marciale dhe pjesa e trupit tonë, është një trup me muskuj të lidhur që ne kërkojmë forcën dhe nuk kërkojmë atë pjesën masive që të fryhesh. Besoj se kjo është pjesa më e mirë për një individ. Po të shkosh në kampionate Europiane ose Botërore, femrat në Taekwondo kanë trupin më të bukur.
A janë femrat apo meshkujt më të interesuar për të bërë arte marciale?
Momentalisht, ka qenë vetëm gjinia mashkullore. Kemi parë që vitet e fundit ka pasur shumë interes nga gjinia femërore, për të provuar diçka të re, por dhe nga benefitet që ky sport na sjell, si trupi, shpejtësia. Që një femër të jetë në bazat e modelingut, ky sport është perfekt.