Sport

Dinamo dhe Partizani rikthehen tek fitorja, mundin respektivisht Bylisin dhe Skënderbeun

Dinamo ka siguruar një fitore të rëndësishme 3-1 përballë Bylisit, që kthen skuadrën e Ilir Dajës në vendin e dytë në renditjen e kampionatit.

Në një ndeshje të kontrolluar kryesisht nga blutë, këta të fundit nuk kanë falur gabimet e prapavijës së ballshiotëve të cilët praktikisht ua dhuruan dy golat e parë të realizuar nga Mandela e Bregu. Ruçi ktheu në lojë të tijtë dhe pritej që në pjesën e dytë të kishte më shumë rivalitet.

Por Bregu me një goditje spektakolare rivendosi distancën dhe i dha mundësisë Dinamos të administronte qetësisht rezultatin deri në fund të sfidës.

LEXO EDHE: Trajneri Tetova: Diktaturë e Egnatias? Nuk luajmë për momentin, por për progresin

Skënderbeu u mposht nga Partizani me rezultatin 1 me 2 në Korçë. Fitorja e “demave” erdhi me përmbysje në pjesën e dytë, pasi e para foli për korçarët.

Goli i vendasve erdhi me një penallti që u kontestua në minutën e 33-të. Miqtë patën tjetër fytyrë në pjesën e dytë, teksa Qirko u tregua vendimtar me pritjet e tij.

LEXO EDHE: Shkëmbi flet në prag të klasikes: Tirana do vazhdimësinë

Kote fillimisht barazoi dhe më pas Eleke shënoi golin e parë me kryeqytetasit. Partizani mbetet në vendin e katërt, ndërsa Skënderbeu në atë të fundit.

3 ndeshjet e tjera të javës së 29-të të superiores luhen nesër. Laçi pret Egnatian në orën 13:30. Në orën 16:30 zhvillohen Tirana – Vllaznia dhe Teuta – Elbasani.