Sot shënohet Dita Botërore e Veganizmit. Kjo lëvizje i ka rrënjët në Angli në vitin 1944 me themelimin e Shoqërisë Vegane, një ndarje nga Shoqëria Vegjetariane, për të promovuar një stil jetese që përjashtonte produktet shtazore. Eshtë një filozofi që ka përhapur me sukses ndërgjegjësimin e ri rreth të ushqyerit. Në dekadat e fundit, veganizmi është bërë një fenomen global, i nxitur pjesërisht nga lëvizjet mjedisore dhe vëmendja në rritje ndaj krizës klimatike dhe shpërdorimit të burimeve.
Përfitimet:
Ky stil jetese është në thelb përçarës. Që nga zhvillimi i tij, kanë dalë dy fraksione kundërshtare: kritikuesit dhe mbështetësit, ata që besojnë se është një dietë e dëmshme dhe ata që promovojnë përfitimet e saj.
Sipas raportit të Komisionit EAT-Lancet të vitit 2025, miratimi global i Dietës së Shëndetit Planetar (një model fleksibël i të ngrënit i bazuar në ushqime me bazë bimore si drithërat e plota, frutat, perimet, bishtajoret dhe arrat, me konsum të kufizuar të produkteve shtazore) mund të zvogëlojë rrezikun e vdekjes së parakohshme me 27%, duke shmangur deri në 15 milion vdekje në vit dhe ulur ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve kronike si kanceri, diabeti i tipit 2 e sëmundjet kardiovaskulare.
Për më tepër, dieta do të kishte gjithashtu një ndikim të rëndësishëm mjedisor, duke ulur emetimet e karbonit që lidhen me prodhimin e ushqimit me më shumë se 15% krahasuar me vitin 2020.
Qëllimi i Komisionit është të propozojë një dietë të shëndetshme e të qëndrueshme për planetin, duke analizuar sisteme të ndryshme ushqimore dhe identifikuar më të mirin. Dieta e rekomanduar është e pasur me drithëra të plota, fruta, perime e bishtajore, me një konsum shumë të moderuar të proteinave shtazore.
Çështja e ngritur ka të bëjë me zbatueshmërinë në shkallë globale, duke marrë parasysh se sipas vlerësimeve të fundit, popullsia pritet të arrijë 9.6 miliardë njerëz në vitin 2050. Nevojitet një menaxhim më i mirë i burimeve për t’iu përgjigjur kësaj rritjeje eksponenciale që do të përjetojmë së shpejti.
Për të përmbushur objektivin në aspektin e kërkesës globale, prodhimi i bishtajoreve do të duhet që të rritet deri në 190% dhe prodhimi i perimeve me nivel 42-48% ndërsa prodhimi shtazor do të duhet të ulet me 22-27%.
Shëndeti e një dietë e shëndetshme dhe e ekuilibruar janë thelbësore, por gjithashtu ka motive të tjera pas zgjedhjes së këtij stili jetese. Shqetësimi për mirëqenien e kafshëve dhe lufta kundër bujqësisë industriale janë një pasojë e natyrshme.
Historia e Ditës Botërore të Veganizmit
Themelimi i Ditës Botërore të Veganizmit daton që nga viti 1994 dhe merita i takon përsëri Anglisë, të cilën mund ta quajmë vendlindjen e lëvizjes. Aktivistja vegane për të drejtat e kafshëve, Louise Wallis po kërkonte një datë të përshtatshme për të festuar 50-vjetorin e Shoqërisë Vegane.
Wallis zgjodhi 1 nëntorin si datë, pasi bie pikërisht midis 31 tetorit, Halloweenit dhe Ditës së të Gjithë Shpirtrave, më 2 nëntor. Për pak më shumë se 30 vjet, kjo ditë ka qenë një mundësi për të promovuar veganizmin në të gjitha format e tij, duke nxjerrë në pah çështjet kritike të modelit aktual të qëndrueshmërisë ushqimore.