Aktualitet

“Do u nxjerr emrat”/ Rama kritikon kryebashkiakët: Lënë detyrat për të ardhur në Tiranë

Gjatë një eventi të dedikuar infrastrukturës nëntokësore urbane, Kryeministri Edi Rama ka adresuar një kritikë ndaj disa kryetarëve të bashkive, duke i paralajmëruar se do t’i përmendë publikisht me emra nëse braktisin detyrën për të qëndruar në kryeqytet.

“Me një vërejtje për disa nga kryetarët e bashkive, nuk dua t’i përmend këtu me emra, që janë bërë pak problem, po e them në mëyrë të butë, për komunitetin, pasi nuk qëndrojnë në komunitet gjatë gjithë javës, por vijnë në Tiranë edhe në ditët kur duhet të jenë në krye të detyrës atje. Është shumë e rëndësishme që kjo praktikë të marrë fund. Nuk janë të gjithë, janë disa. Herën tjetër do të duhet t’i përmend me emër dhe publikisht”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë nuk përmendi specifikisht emra, por tha se kjo situatë shqetësuese është krijuar “kryesisht në jug e juglindje të vendit, në aksin Tiranë-Korçë”.

“Lënë komunitetin dhe detyrën para se të vijë momenti zyrtar i pushimit. Kjo s’është e justifikueshme dhe e pranueshme. Besoj që kam gjithë mirëkuptimin tuaj për të adresuar një orë më parë këtë shqetësim që më ka ardhur nga disa prej komuniteteve tuaja. Nuk flas për ata të ish-PD se ata mund të rrinë në shtëpi gjithë kohës se ata si janë, si s’janë, prapë ata janë. S’e kam për Sotiraqin, as për ministrin”, tha Rama.

Përtej kritikave, fokusi i takimit ishte pastrimi i qyteteve nga kabllot ajrore jofunksionale dhe kalimi i tyre në rrjetin nëntokësor.

Kryeministri njoftoi se në dhjetëditëshin e parë të korrikut do të prezantohet programi “Rilindja Urbane 2.0”, i cili synon zgjidhjen e disa nyjeve strategjike:

Kalimi drejt një sistemi plotësisht të gjelbër me autobusë elektrikë, me fokus të veçantë menaxhimin e fluksit gjatë sezonit turistik.

Krijimi i një parku logjistik kombëtar për bashkitë (për pastrimin dhe situatat post-emergjencë) dhe një program i ri për shtimin e hapësirave të parkimit.

Financime të reja për programin Start Up Albania dhe nxitja e kompanive të përbashkëta mes bashkive dhe sipërmarrësve ruralë.