Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria nuk do të tërheqë mbështetjen për dy projektet luksoze turistike të mbështetura nga kompania e investimeve e Jared Kushner, pavarësisht javëve të tëra protestash të përditshme kundër tyre.
Në komentet me shkrim dërguar Bloomberg News të martën, Kryeministri Rama tha se është detyra e tij të bëjë dallimin mes demonstratave të mirëfillta dhe asaj që ai e quajti “teatër politik”.
Sipas tij, qytetarët i dhanë një mandat të fortë në zgjedhjet e vitit të kaluar për të çuar përpara vizionin e tij për ta shndërruar Shqipërinë në një destinacion turistik premium dhe “jo për të qeverisur sipas hashtagëve apo sipas jehonës më të zhurmshme”.
Projektet, të mbështetura nga kompania e investimeve e Kushnerit, Affinity Partners, janë bërë qendër e zemërimit më të gjerë ndaj zhvillimit të bregdetit shqiptar dhe mënyrës se si miratohen investimet e mëdha private. Protestuesit kërkojnë anulimin e planeve dhe dorëheqjen e Ramës.
“As një pakicë e zhurmshme, e mbështetur nga çdo forcë opozitare, dhe as një valë indinjate e amplifikuar në mënyrë dixhitale, e ushqyer nga magjepsja globale me emrin Trump të lidhur me atë që unë besoj se është një mundësi e jashtëzakonshme për Shqipërinë (dhe e përforcuar më tej nga ndërhyrja e aktorëve të huaj keqdashës), nuk do të na largojë nga zbatimi i Vizionit “Shqipëria 2030”, tha Rama.
Protestat nisën në fund të majit, kur filluan punimet përgatitore në gadishullin e Zvërnecit dhe bashkëshortja e Kushnerit, Ivanka Trump, foli në një podcast për planet e saj për zhvillimin e ishullit të Sazanit. Që prej asaj kohe, Rama ka pretenduar vazhdimisht, pa paraqitur prova, se protestat mbështeten nga “një ekosistem i madh amplifikimi dixhital që qartësisht nuk është organik”.
Në emailin e tij për Bloomberg, ai tha se koha do të tregojë se “Irani nuk është i vetmi aktor i përfshirë”.
Shqipëria strehon rreth 3 mijë anëtarë të organizatës opozitare iraniane në mërgim, Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit. Vitin e kaluar, hakerë iranianë sulmuan shërbimet bashkiake në Shqipëri.
“Standardi ynë është i qartë: ligji, shkenca, transparenca dhe detyrimet europiane- jo histeria”, tha Rama. “Ne po e hapim vendin, po mbrojmë pasuritë e tij natyrore, po tërheqim investime serioze dhe po ecim me vendosmëri drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.”