Gjykata e Posaçme ndryshon masën e sigurisë për ish-drejtorin e Bashkisë Tiranë, Taulant Tushe, i cili prej janarit të këtij viti ishte në arrest shtëpie, me vendim të Apelit të Posaçëm, ndërsa kjo masë iu zbut sërish me detyrim paraqitje.
Tushe është i përfshirë në aferën “5D”, së bashku me dy ish-drejtorët, Redi Molla dhe Mariglen Qato.
Sipas SPAK-ut, Taulant Tusha në cilësinë e kreut të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe të anëtarit të KVO-së, si dhe anëtarët e tjerë Enton Punavija, Julian Zanaj e Albano Janku, kanë favorizuar shoqërinë 5D në tre tendera të Bashkisë Tiranë.
Kjo duke i krijuar shoqërisë ‘5D Konstruksion’ sh.p.k avantazhe dhe privilegje të padrejta në raport me operatorët e tjerë ekonomikë që kanë marrë pjesë në procedurat e prokurimit, duke e shpallur fituese të procedurës së prokurimit në mënyrë të parregullt dhe në shkelje të rregullave të prokurimit publik.
Tushe u arrestua fillimisht në mars 2024 me urdhër të SPAK-ut, por u lirua nga qelia në muajin janar 2026. Ai po gjykohet edhe për çështjen e inceneratorit të Tiranës.