Zyrtarët amerikanë kanë zbuluar praninë e dronëve të paidentifikuar mbi një bazë ushtarake në Uashington, ku jetojnë figura të larta të administratës, përfshirë sekretarin e Shtetit, Marco Rubio dhe sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth. Burime për Washington Post bëjnë të ditur se origjina e këtyre dronëve, ende mbetet e panjohur.
Sipas një zyrtari të lartë të administratës, ushtria amerikane ka rritur ndjeshëm vigjilencën për shkak të situatës së tensionuar, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli janë të përfshira në operacione ushtarake kundër Iranit. Brenda 10 ditëve të fundit, disa dronë u konstatuan mbi bazën Fort Lesley J. McNair, duke nxitur masa të shtuara sigurie e diskutime në Shtëpinë e Bardhë mbi mënyrën e reagimit.
Incidenti vjen në një moment kur SHBA-të kanë lëshuar një alarm global sigurie për misionet e tyre diplomatike dhe kanë rritur nivelin e gatishmërisë në disa baza ushtarake brenda vendit. Joint Base McGuire-Dix-Lakehurst në New Jersey dhe MacDill Air Force Base në Florida kanë kaluar në nivelin e mbrojtjes “Charlie”, që sinjalizon rrezik të mundshëm për sulm.
Prania e dronëve mbi Fort McNair ka shtyrë autoritetet të shqyrtojnë edhe mundësinë e zhvendosjes së Rubios e Hegseth-it, megjithëse deri tani një hap i tillë nuk është ndërmarrë.
Ndërkohë, zëdhënësi i Pentagonit refuzoi të komentojë detaje, duke theksuar se “të tilla çështje janë shumë të ndjeshme për sigurinë kombëtare”.
Në të njëjtën kohë, baza MacDill, ku ndodhet Komanda Qendrore e SHBA-ve, u përball me incidente sigurie gjatë javës, përfshirë mbyllje të përkohshme për shkak të një pakete të dyshimtë dhe një situate tjetër të paqartë që çoi në izolimin e përkohshëm të objektit.
Ndërkohë, Departamenti i Shtetit i SHBA-ve ka urdhëruar të gjitha përfaqësitë diplomatike amerikane në botë që të kryejnë menjëherë vlerësime të sigurisë, duke përmendur zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe rrezikun e përhapjes së tensioneve.
Autoritetet amerikane vijojnë hetimet për të përcaktuar burimin dhe qëllimin e dronëve, ndërsa shqetësimet për sigurinë mbeten të larta.