Bota

Lufta me Iranin i ka kushtuar SHBA-ve 37.5 miliardë dollarë deri tani!

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i tha Kongresit se deri tani, lufta me Iranin i ka kushtuar Shteteve të Bashkuara 37.5 miliardë dollarë, nga thuajse 29 miliardë dollarë sa ishte vlerësuar në mes të majit. Ai mbrojti kërkesën e Pentagonit për rreth 67 miliardë dollarë fonde shtesë.

Duke dëshmuar para Komitetit për Ndarje Buxhetore të Senatit, Hegseth dhe gjenerali Dan Caine, shef i Shtabit të Përgjithshëm, thanë se financimi shtesë ishte “urgjent” dhe “i nevojshëm” për të mbuluar kostot e operacioneve ushtarake deri në fund të shtatorit.

Senatorja demokrate, Jeanne Shaheen, vuri në pikëpyetje kërkesën, duke argumentuar se Pentagoni ende ka 75 miliardë dollarë të pashpenzuara dhe pyeti pse po kërkohen më shumë para “në vend që të kërkohet autorizim për transferim” të fondeve.

Hegseth u përgjigj se këto fonde janë alokuar për prioritete të tjera, përfshirë projektin e mbrojtjes raketore “Golden Dome for America” (Kupola e Artë për Amerikën).

Ligjvënësit demokratë dhe republikanë duan më shumë qartësi për strategjinë e administratës Trump në Lindjen e Mesme, pasi lufta në Iran nisi në fund të shkurtit me sulmet e SHBA-ve dhe Izraelit.

Ndërkohë, Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane (CENTCOM) tha se me “sukses” përfundoi natën e 11-të me radhë të sulmeve ndaj Iranit, duke shënjestruar “qendrat operacionale iraniane, aftësitë detare, hangarët e aeroplanëve, ndërtesa ku mbahen dronët dhe infrastrukturën logjistike ushtarake”.

CENTCOM deklaroi se synojnë ta dobësojnë edhe më tepër aftësinë e Iranit për të kërcënuar anijet tregtare në Ngushticën e Hormuzit, pas më shumë se 30 sulmeve kundrejt tyre në tre muajt e fundit.

Komanda tha se kjo rrugë ujore mbetet e hapur dhe përsëriti pretendimin se forcat amerikane kanë ndihmuar në lehtësimin e kalimit të rreth 900 anijeve tregtare dhe 450 milion fuçive naftë të papërpunuar përmes Ngushticës së Hormuzit, që nga fillimi i majit.

Ndërkaq, sot ushtria iraniane tha se kreu sulme ndaj një baze amerikane në Kuvajt.

Sulme me dronë ndaj depove të municioneve dhe pajisjeve logjistike në selinë e forcave tokësore të ushtrisë amerikane në Kampin Doha, që gjendet në perëndim të Kuvajtit, në kundërpërgjigje të sulmeve të vazhdueshme amerikane ndaj Iranit.

Ushtria amerikane ende nuk ka komentuar për këtë pretendim të Iranit.