Me luftën Rusi-Ukrainë që tashmë duket çështje orësh, akuza të forta vijnë nga Shtetet e Bashkuara për administratën amerikane. Sipas politikanes Tulsi Gabbard, “administrata Biden e kërkon pushtimin e Ukrainës nga Rusia”. Ish-ligjvënësja e cila u tërhoq nga gara presidenciale amerikane e vitit 2020 dhe mbështeti Joe Biden-in, dha një shpjegim për variantin e saj kur foli për Tucker Carlson në Fox News. Carlson e pyeti mbi rrezikun e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
Para së gjithash, presidenti Biden mund t’i japë fund krizës e të parandalojë luftën me Rusinë, duke bërë diçka shumë të thjeshtë. Biden mund ta shmangë luftën duke garantuar Moskën se Ukraina, asnjëherë nuk do të anëtarësohet në NATO. Por, pushtimi do të çonte në vendosjen e sanksioneve drakoniane ndaj Rusisë.
Gabbard analizon:
Nëse Ukraina anëtarësohet në Aleancë, kjo i vendos trupat ushtarake amerikane dhe ato të NATO-s, në dyert e Rusisë e siç Putin është shprehur, kjo minon interesat e tyre të sigurisë kombëtare.
Në realitet ka shumë, shumë pak gjasa që Ukraina t’i bashkohet NATO-s ndaj shtrohet pyetja: Përse Biden e liderët e tjerë të NATO-s nuk e thonë dhe ta garantojnë këtë? Pra, kjo përfshin pjesën se përse jemi në këtë pozicion? Për mua, kjo çon në një përfundim: Ata duan që Rusia të pushtojë Ukrainën!
Në radhë të parë, i jep administratës Biden një justifikim të qartë për të vendosur sanksione shumë të rrepta, që përfaqësojnë një rrethim të kohëve moderne kundër Rusisë e rusëve.
Së dyti, çimenton Luftën e Ftohtë. Industria ushtarake është e para që nxjerr përfitime nga një gjë e tillë dhe dihet kontrolli që ushtron ndaj administratës Biden. Luftënxitësit nga të dy palët në Uashington i kanë rënë daulleve të tensioneve.
Gabbard argumenton se me një luftë të re, “kompleksi i industrisë ushtarake” do të grumbullonte para’ me tonelata, shumë më tepër se kur luftohej Al Kaeda.
Në mënyrë të përsëritur, presidenti Biden ka thënë se Rusia do të përballet me sanksione në rast pushtimi të Ukrainës, përfshirë bllokimin e gazsjellësit Nord Stream 2, që kalon nga Rusia në Gjermani.
Shtetasve amerikanë në Ukrainë iu kërkua të largohen me urgjencë nga ky vend, pasi inteligjenca amerikane ka informacione për fillimin e luftës në pak ditë. Por, qeveria ruse mohon mundësinë e sulmit.