Bota

E emëruara e presidentit Trump, Tulsi Gabbard kritikon ashpër “dështimet” e Zbulimit!

E emëruara e presidentit Donald Trump për të drejtuar komunitetin e Zbulimit të vendit, kritikoi ashpër qëndrimet e këtyre agjencive nën presidentët e mëparshëm, duke i akuzuar për përdorimin e kompetencave për të sabotuar Trump-in, si edhe për përpjekje për të cënuar reputacionin e saj.

Ish-anëtarja e Kongresit, Tulsi Gabbard iu tha anëtarëve të Komisionit të Senatit për zbulimin se do të sillte “një perspektivë të re” nëse konfirmohej si drejtore e Zbulimit Kombëtar e do të rikthente besimin në 18 agjencitë e komunitetit të zbulimit, që sipas saj është “në nivelin më të ulët”.

Për një kohë të gjatë, informacioni i gabuar i zbulimit, i pamjaftueshëm apo i përdorur politikisht ka çuar në dështime të kushtueshme dhe minimin e sigurisë sonë kombëtare, si dhe lirive të dhëna nga Zoti. Përfundimi është se kjo duhet të marrë fund! Rizgjedhja e presidentit Trump është një mandat i qartë nga populli amerikan për ta ndërprerë këtë cikël dështimi si edhe politizimin e komunitetit të zbulimit.

Gabbard sulmoi edhe ata që e kanë kritikuar emërimin e saj duke argumentuar se është “besnike ndaj diçkaje apo dikujt tjetër përveç Zotit, ndërgjegjes sime dhe Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara.

Ajo që me të vërtetë i shqetëson kundërshtarët e mi politikë është se unë refuzoj të jem kukulla e tyre.

Vendimi i Trump-it për ta emëruar Gabbard-in për postin, menjëherë pas fitores së tij në zgjedhjet presidenciale të nëntorit kapi në befasi disa ligjvënës dhe ish-zyrtarë të zbulimit. Ish-ligjvënëse demokrate nga shteti i Hauait, si dhe ish- kandidate demokrate për presidente, ajo është veterane e Gardës Kombëtare të Ushtrisë Amerikane, me shërbime në Irak e Kuvajt. Por, nuk ka mbajtur asnjë pozicion të lartë drejtues.

Gabbard është përballur me kritika nga republikanët dhe demokratët për deklaratat në lidhje me pushtimin rus të Ukrainës, metodat e përgjimit e një projekt-ligj që ka propozuar për të falur Edward Snowden-in, ish-kontraktor i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, i akuzuar për rrjedhjen e mijëra dokumenteve të klasifikuara, përpara se të arratisej përfundimisht në Rusi.

Po ashtu është kritikuar për një udhëtim në Siri në vitin 2017, gjatë të cilit u takua me presidentin e atëhershëm Bashar al-Assad.

Mund të thuhet se emërimi i zonjës Gabbard ka ngjallur më shumë interes dhe vëmendje se shumica e kandidatëve përpara këtij komisioni, tha kryetari i tij, republikani Tom Cotton, ndërsa po zhvillohej seanca dëgjimore.

Por, gjithashtu, Cotton u shpreh i tronditur nga sulmet ndaj patriotizmit dhe besnikërisë së saj.

S’më mbetet veçse të qesh me disa kritikë që thonë se Gabbard ka pikëpamje jokonvencionale. Por, shikoni se ku na ka çuar të menduarit konvencional. Ndoshta Uashingtonit i duhet një mendim pak më jokonvencional.