Celebrities Gossip Showbiz

E ngatërruan me Haaland në tribunë? Channing Tatum habit tifozët me transformimin e pazakontë!

Aktori i njohur amerikan Channing Tatum ka shkaktuar bujë në tribunat e Kupës së Botës, pasi u shfaq me një pamje aq të ngjashme me Erling Haaland, sa shumë tifozë menduan se ylli norvegjez ishte ulur mes tyre.

Ylli i Hollywood-it u fotografua gjatë ndeshjes mes Norvegjisë dhe Francës, i veshur me fanellën e kombëtares norvegjeze dhe me një paruke të gjatë bionde, që e bënte të dukej thuajse identik me sulmuesin e famshëm.

Paraqitja e tij e pazakontë tërhoqi menjëherë vëmendjen e tifozëve në stadium, ndërsa shumë prej tyre ndaluan për ta fotografuar, duke menduar se kishin përballë vetë Haalandin.

Megjithatë, prania e Tatum në tribunë nuk ishte rastësi. Aktori ka qenë së fundmi pjesë e një fushate promocionale të Nike, ku interpretoi rolin e “dublantit” të Erling Haaland në një film të shkurtër të realizuar në prag të Kupës së Botës.

Në videon promocionale, Tatum shfaqet si “sozia” e sulmuesit norvegjez, duke sjellë momente humoristike dhe skena argëtuese. Projekti ka bashkuar disa prej emrave më të njohur të sportit dhe showbiz-it, mes tyre LISA, Travis Scott, Kim Kardashian dhe Young Miko.

Historia e filmit zhvillohet në një set xhirimi ku futbollistët refuzojnë të ndjekin skenarin dhe vendosin të luajnë sipas instinktit të tyre, duke krijuar situata kaotike dhe plot spektakël.

Edhe pse Tatum u shfaq si një tifoz i zjarrtë i Norvegjisë, skuadra skandinave nuk arriti të shmangte humbjen përballë Francës, e cila triumfoi me rezultatin 4-1.

Ousmane Dembele realizoi tre gola në pjesën e parë, ndërsa Désiré Doué vulosi fitoren e francezëve. Pavarësisht disfatës, Norvegjia siguroi kualifikimin në fazën tjetër të turneut, duke mbajtur gjallë ëndrrën për sukses në Kupën e Botës.