Një ngjarje tronditëse ka goditur SHBA-në, pasi një kryebashkiak i sapozgjedhur ka ndërruar jetë në mënyrë të papritur gjatë një aktiviteti publik. Rick Hogaboam, 47 vjeç, kryebashkiak i qytetit Nampa në Idaho, u rrëzua teksa po mbante një fjalim në një takim me koalicionin e kryebashkiakëve. Sipas dëshmitarëve dhe mediave lokale, ai filloi të shfaqte vështirësi gjatë të folurit përpara se të shembej në tokë, duke shkaktuar panik dhe tronditje te të pranishmit.
Menjëherë pas incidentit, një ish-zjarrfikës dhe kryebashkiak i një qyteti fqinj i dha ndihmën e parë, ndërsa në vendngjarje ndërhynë edhe forcat e policisë që ndodheshin aty. Ekipet e urgjencës mjekësore mbërritën brenda pak minutash dhe vazhduan përpjekjet për ta rikthyer në jetë, por fatkeqësisht nuk arritën ta shpëtonin.
Shkaku i vdekjes ende nuk është bërë publik nga autoritetet. Hogaboam kishte marrë detyrën si kryebashkiak vetëm në janar dhe konsiderohej një figurë aktive në komunitet, me kontribut të gjatë në administratën lokale. Në ditën e fundit të jetës, ai kishte qenë i angazhuar në mbështetje të zjarrfikësve dhe kishte zhvilluar takime pune për çështje të sigurisë.