Bota Celebrities

E trishtë! Aktorja dhe këngëtarja meksikane qëllohet për vdekje teksa priste djalin e saj!

Një lajm i trishtë vjen nga bota e showbiz-it meksikan dhe jo vetëm. Së fundmi aktorja dhe këngëtarja meksikane Tania Mendoza është qëlluar për vdekje teksa po priste të merrte nga Akademia e Futbollit djalin e saj 11-vjeçar. Tania ishte jashtë kompleksit sportiv në qytetin e Cuernavacas bashkë me prindër të tjerë, kur dy burra të armatosur mbërritën me një motoçikletë.

Njëri prej tyre e qëlloi disa herë përpara se të arratisej me bashkëpunëtorin e tij. 42-vjeçarja rikujtojmë se, u bë e famshme në vitin 2005, pas një roli kryesor në filmin “La Mera Reyna del Sur”. Ajo ishte shfaqur edhe në një sërë telenovelash, por vitet e fundit iu përkushtua karrierës së saj si këngëtare dhe regjistroi 5 albume.

Në vitin 2010, ajo u rrëmbye me burrin dhe djalin e saj, i cili ishte gjashtë muajsh, për shkak të biznesit të lavazhit të çiftit. Që atëherë, ajo kishte raportuar në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Shtetit të Morelos disa kërcënime me vdekje. Nuk dihet ende se kush qëndron pas vrasjes së Mendozës, apo ndonjë motiv i mundshëm. Pas të shtënave, policia ka kryer një operacion në kërkim të të dyshuarve, por askush nuk është arrestuar.

Sipas të dhënave zyrtare, të paktën 10 gra u vranë çdo ditë në vend vitin e kaluar. Grupi për të drejtat e njeriut ‘Amnesty International’ tha se rreth një e treta e viktimave ishin vrarë për shkak të gjinisë së tyre. Vrasja e grave sa vjen dhe bëhet më shqetësuese dhe pavarësisht se është rritur dërgjegjësimi për këtë çështje, autoritetet nuk kanë qenë në gjendje të ndalojnë rritjen e numrit të vrasjeve. Sipas ‘Amnesty’, rastet hetohen rrallë dhe shumica e autorëve mbeten të pandëshkuar.