Irani ka ekzekutuar një numër “tronditës” prej 2.159 personash më 2025-ën, sipas një raporti nga Amnesty International, i publikuar sot. Referuar organizatës për të drejtat e njeriut, numri i ekzekutimeve ka tejkaluar rekordin e vitit 1981, të regjistruar në shtetin iranian.
Të paktën 2.707 persona u ekzekutuan në mbarë botën vitin e kaluar, edhe pse dënimet me vdekje të aplikuara në Kinë, nuk janë përfshirë në këtë shifër.
Organizata me seli në Londër deklaroi se “mijëra ekzekutime” janë kryer në Kinë, shtetin që përdor më shumë dënimin me vdekje. Amnesty vë në dukje se detajet nuk janë të qarta, për shkak të “sekretit shtetëror” mbi të dhënat në vendin aziatik.
Për vitin 2025, përfshirë ekzekutimet në Arabinë Saudite, Kuvajt, Egjipt, Jemen, Singapor e Shtetet e Bashkuara, shifra globale paraqet rritje me më shumë se dy të tretat, krahasuar me numrin e përgjithshëm më 2024-ën.
Ky trend ishte më i theksuar në shtetet ku autoritetet kanë forcuar kontrollin mbi pushtetin, duke kufizuar hapësirën civile, heshtur disidencën e duke treguar shpërfillje ndaj mbrojtjeve të vendosura nga ligjet dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Në veçanti, “rritja tronditëse e ekzekutimeve të regjistruara në Iran” erdhi në kohën kur autoritetet “intensifikuan përdorimin e dënimit me vdekje si mjet shtypës politik dhe të kontrollit”, sidomos pas luftës së qershorit të vitit 2025 me Izraelin.
Amnesty e të tjera grupe për të drejtat e njeriut, thanë se Teherani po intensifikon përdorimin e dënimit me vdekje pas protestave masive antiqeveritare në janar e luftës që shpërtheu me Izraelin e Shtetet e Bashkuara.
2.159 ekzekutime janë regjistruar në Iran më 2025-ën dhe kjo shifër përbën shifrën më të lartë që nga viti 1981, i regjistruar në Republikën Islamike. Po ashtu, kjo është shifra më e lartë e regjistruar në një shtet të vetëm që nga ai vit.