Rajoni

Edhe Zveçani anëtarësohet në Asociacionin e Komunave të Kosovës!

Pas Mitrovicës së Veriut, Leposaviçit e Zubin Potokut edhe Zveçani bëhet pjesë e Asociacionit të Komunave të Kosovës. Lajmin e bën të ditur partia ë pushtet, Lëvizja Vetëvendosje. Një ditë më parë, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, kundërshtoi vendimin e Leposaviçit e Zubin Potokut.

Nuk është në përputhje me kërkesat e serbëve lokalë dhe si i tillë do të vazhdojë ta përshkallëzojë situatën në veri të Kosovës.

Në këtë pjesë të Kosovës me shumicë serbe, gjendja është tensionuar muaj më parë. Kjo për shkak të kundërshtimit të banorëve serbë për t’i pranuar kryetarët e rinj shqiptarë të dalë prej zgjedhjeve të jashtëzakonshme të prillit, të bojkotuara prej tyre. Me raste, situata ka përshkallëzuar në dhunë.

Nga Kosova dhe Serbia, faktori ndërkombëtar kërkoi të marrin masa për shtensionim të situatës dhe për organizim të zgjedhjeve të reja.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e publikoi javë më parë një udhëzim administrativ që përfshin procesin e largimit të kryetarit nga funksioni.

Por, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani tha se udhëzimi administrativ është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Diplomatët perëndimorë besojnë që dorëheqja e kryetarëve të këtyre komunave mund të jetë mënyrë më e mirë për hapjen e rrugës për zgjedhje të reja.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka përsëritur disa herë se nuk mund të detyrojë askënd të marrë një vendim të tillë dhe është bazuar në rrugën ligjore, si referencë për udhëzimin administrativ.

Dje pas takimit jo të suksesshëm në Bruksel Kurti-Vuçiç, presidenti serb tha se nëse kryetarët shqiptarë të komunave në veri të Kosovës japin dorëheqje, ai do të japë “gjithçka nga vetja” që komuniteti serb të marrë pjesë në procesin e ri zgjedhor.

Takimi përfundoi pa rezultat dhe DASH u shpreh i zhgënjyer për një epilog të tillë.

Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve prej vitit 2011. Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.