Sport

Egnatia ndëshkon ashpër Vllazninë, Partizani ‘bie’ përballë Kastriotit!

Vllaznia është në kolaps total, me shkodranët që marrin humbjen e dytë radhazi në kampionat. Pas disfatës me Tiranën, Vllaznia humbet dhe ndaj Egnatias me rezultatin 3-0.

Pritej që kjo ndeshje do ishte e vështirë për Vllazninë pas largimit të Tomas Brdariç. Egnatia dominoi gjatë gjithë pjesës së parë, me rrogozhinasit që shpërdoruan raste pafund.

Këmbëngulja shpërblehet dhe në minutën e 31 sulmuesi Pedro Augusto u dha avantazhin rrogozhinasve. U deshën rreth 5 minuta konsultim me VAR nga arbitri që të konfirmohej goli. Egnatia shpërdoroi raste të shumta, kjo dhe për faj të gabimeve të shkodranëve në mbrojtje.

Në pjesën e dytë Vllaznia bëri disa zëvendësime dhe kishte 2-3 raste të mira, por portieri Puja ishte i saktë për të larguar rrezikun. Në momentin më të mirë të tyre Vllaznia mbetet me 10 lojtarë, pasi Heriç u ndëshkua me karton të kuq.

Ndërkaq Egnatia vulosi fitoren pas një kundërsulmi dhe ishte përsëri Pedro Augusto që shënoi golin e dytë.  Por sulmuesi nuk kishte mbaruar aty pasi në minutën e 87’ ai shënoi golin e tretë personal.

Me këtë triumf Egnatia mbetet në vendin e 8 me 27 pikë të grumbulluara, ndërsa Vllaznia në vendin e 4 me 39 pikë.

Kastrioti mposhti Partizanin me rezultatin 1-0, në sfidën e javës së 24-t të Superiores, që i pati të gjitha, tensionin, rastet dhe penalltinë e humbur nga Kallaku si dhe momentet e dyshimta. Në fund ishte Kaina që me golin e realizuar në minutën e 79-të, i dhuroi 3 pikë të arta krutanëve.

Më këtë fitore Kastrioti u ngjit në kuotën e 28 pikëve, duke u pozicionuar në vendin e 6-të, ndërkohë që Partizani mban vendin e 5-të me 35 pikë.