Aktualitet

Ekskluzive/ Vrasja në Shëngjin, seanca e ekstradimit në Londër, Top Channel siguron vendimin!

Në Londër, gjykatësi i çështjeve të ekstradimit, Michael Snow, pranoi lirimin me kusht të Harriet Bridgeman, për të cilën Shqipëria kërkon të ekstradohet, si pjesë e grupit të përfshirë në vrasjen e biznesmenit  Ardian Nikulaj në Shëngjin, më 19 prill.  Top Channel pati akses ekskluziv në ndjekjen e procesit online, gjatë të cilit avokatja e Bridgeman-it kërkoi lirinë me kusht.

Por, Zoe Lash, e cila përfaqëson shtetin shqiptar, kërkues i ekstradimit, e kundërshtoi ndryshimin e masës së sigurisë për Harriet Bridgeman-in. Ajo tha se “liria me kusht përbën motiv për t’u shqetësuar për sigurinë e saj, argument që nuk e bindi gjykatësin Snow.

Lash paralajmëroi ankimim në Gjykatën e Lartë, Royal Court of Justice lidhur me lirimin me kusht për Harriet Bridgeman.

Ndërkaq, Snow refuzoi lirinë me kusht të Thomas Mithen. Sa iu përket kërkesave të Edmond Haxhisë e Steven Hunt, po për lirinë me kusht, ato do të shqyrtohen më 2 qershor.

Një ditë para se të kryente porosinë për të vrarë Ardian Nikulajn, Ruben Saraiva kishte udhëtuar për të disatën herë nga Shkodra drejt Shëngjinit. Ai ndiqte një taktikë, sipas së cilës gjysmën e rrugës e bënte me automjetin e marrë me qira nga Edmond Haxhia dhe tjetrën me motorin, me të cilin u largua nga skena e krimit. Për portugezin në kërkim, drejtësia shqiptare u thotë britanikëve se provat që e lidhin me Haxhinë janë të pakundërshtueshme.

Sipas  shkresave që i janë dorëzuar britanikëve e që Top Channel pati mundësi t’i lexojë, përmendet se krahas ADN-së, mjeti i marrë me qira nga porositësi Edmond Haxhia dhe i përdorur nga vrasësi, i bën më të plota dyshimet kundër tyre.

Po kështu, akti noterial për blerjen e motorit, si dhe pritje-përcjelljet në aeroport të katër vëzhguesve, ku në pozitë më të vështirë ndodhet informatori Simpson, gjithashtu në kërkim. Pas sinjaleve që Simpson dha në vëzhgim e sipër, portugezi arriti të realizoje krimin, për të cilin erdhi në Shqipëri, bashkë me Haxhinë e anglezët e tjerë me të njëjtin rol.