Bota

Ekstradohet në Amerikë “Fito”, bosi i drogës në Ekuador!

Kreu i fuqishëm i një bande ekuadoriane, Adolfo Macías Villamar u ekstradua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’u përballur me akuzat për trafik droge e armësh. I njohur si “Fito”, ai u arrestua në muajin qershor, pothuajse një vit pasi u arratis nga një burg i sigurisë së lartë ku po vuante një dënim me 34 vjet burg për një sërë krimesh.

Unë dhe zoti Macías do të paraqitemi para gjykatës federale të Bruklinit ku ai do të deklarohet i pafajshëm. Më pas, pritet të mbahet në një burg për një kohë të pacaktuar, u shpreh avokati i tij, Alexei Schacht.

“Fito” njihet si kreu i bandës Los Choneros, e lidhur me organizata të fuqishme kriminale nga Meksika e Ballkani. Po ashtu, dyshohet se ka urdhëruar vrasjen e kandidatit për president, Fernando Villavicencio, në vitin 2023.

Siç dihet, më shumë se 70% e të gjithë kokainës së prodhuar në botë, aktualisht kalon nëpër portet e Ekuadorit. Vendi ndodhet mes dy eksportuesve kryesorë të kokainës në botë, Kolumbisë e Perusë.

Villamar, shtetas ekuadorian dhe dikur një shofer taksie, u shndërrua në bos krimi. Ndërkaq është shtetasi i parë i Ekuadorit që ekstradohet nga vendi i tij që prej hyrjes në fuqi të një ligji të ri, një vit më parë. Ligji i miratuar pasoi një referendum të mbajtur nga presidenti Daniel Noboa me qëllim sigurimin e mbështetjes popullore për të luftuar bandat kriminale në Ekuador.