Mbi 10 persona janë shoqëruar dhe marrë në pyetje nga policia, në lidhje me vrasjen e 67-vjeçarit Dod Mamli një ditë më parë në fshatin Vilëz të Kurbinit, por uniformat blu ende nuk ka arritur të bjerë në gjurmët e autorëve të këtij krimi. Personat e pyetur janë kryesisht banorë të zonës, por dëshmia e tyre nuk e ka ndihmuar grupin hetimor për zbardhjen e ngjarjes.
Që prej mbrëmjes së djeshme, policia po monitoron të gjithë masivin pyjor përreth vendit të ngjarjes, në kërkim të autorëve dhe ndonjë gjurme të lënë prej tyre. Nga këqyrja e trupit të viktimës dhe ekspertizës mjeko-ligjore rezulton se ka një plumb në kokë e disa të tjerë në gjoks ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur 6 gëzhoja pistolete.
Viktima u gjet nga dy banorë të zonës që po zbrisnin poshtë nga mali, të cilët konstatuan 67-vjeçarin të shtrirë dhe njoftuan policinë. Familjarët dëshmuan se viktima kishte folur me të vëllanë që ndodhet jashtë vendit rreth orës 16:00 të pasdites dhe mendohet se krimi të ketë ndodhur vetëm pak minuta më vonë.
Grupi hetimor ka sekuestruar telefonin e viktimës si dhe po bën këqyrjen e mjetit të 67-vjeçarit. Pista kryesore e vrasjes lidhet me hakmarrjen, pasi dy djemtë e 67-vjeçarit të vrarë, Enrik dhe Tom Mamli kanë vrarë në vitin 2015 një person të quajtur Naim Tafa në Mamurras.
Në atë kohë të plagosur mbetën edhe dy të tjerë. Por, pista tjetër është edhe ajo e një konflikti të mundshëm pronësie, pasi 67-vjeçari po hapte një tokë në zonën e pyllëzuar ku edhe u gjet i vrarë mbrëmjen e djeshme në Vilëz të Kurbinit.