Operacion i beftë policor te Bajrat në Dobraç të Shkodrës dhe në Fushë-Kuqe të Kurbinit. Forcat Operacionale vepruan rreth orës 05:00 të mëngjesit e paraprakisht mësohet se gjatë aksionit në Fushë-Kuqe, për llogari të SPAK-ut u arrestuan dy persona në kërkim.
Ata janë identifikuar si Elvin Merlika, pjesëmarrës në planin për eliminimin e Indrit Dokles sipas porosisë së Ervis Martinajt dhe Alket Xhixha, i veçuar si person që ka bërë të mundur takimin e Nuredin Dumanit dhe Ervis Martinajt.
Gjatë këtij aksioni bëhet me dije se Operacionalja ka sekuestruar edhe armë zjarri. Policia bën me dije se këto veprime janë pjesë e një serie masash të ndërmarra për të rritur sigurinë dhe për të parandaluar veprimtaritë kriminale në zonat e veriut të vendit. Autoritetet pritet të japin detaje të mëtejshme në orët në vijim.