Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) me seli në Strasburg është përgjegjëse për respektimin e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut të nënshkruar nga 46 shtete.
Ruajtja e pavarësisë dhe paanshmërisë së gjykatës është fondamentale, deklaroi sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Alain Berset. Në sfondin e sfidave komplekse të kohës, detyra jonë është ta forcojmë Konventën dhe jo ta dobësojmë atë. Në një shoqëri ku mbizotëron shteti ligjor, drejtësia nuk duhet të bjerë nën presionin politik.
Në një letër të hapur, që u bë publike të enjten nga zyra e kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, disa vende anëtare të BE-së kërkuan debat parimor lidhur me interpretimin e Konventës së të Drejtave të Njeriut. Shkas për këtë është shqetësimi se konventa nuk është më e mjaftueshme për të reaguar ndaj sfidave aktuale, veçanërisht sa ka të bëjë me emigracionin. Kjo kërkesë është nënshkruar nga qeveritë e Italisë, Danimarkës, Polonisë, Austrisë, Belgjikës, Letonisë, Estonisë, Lituanisë dhe Çekisë.
Kritika ndaj vendimeve gjyqësore për emigracionin
Dokumenti në fjalë u publikua pas takimit ndërmjet kryeministres italiane Meloni dhe kryeministres së Danimarkës, Mette Frederiksen në Romë. Të dyja kryeministret ndjekin një politikë restriktive emigracioni. Në një deklaratë të përbashkët thuhet:
Ne duhet të rivendosim ekuilibrin e duhur. Ka ardhur koha për një diskutim se si konventat ndërkombëtare t’u përshtaten sfidave të kohës sonë.
Nënshkruesit e deklaratës kërkojnë gjithashtu, “të shohin se si Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut i ka zhvilluar interpretimet e veta të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut”.
Gjykata në Strasburg së fundi ka trajtuar raste kundër Letonisë, Lituanisë dhe Polonisë, ku bëhej fjalë për trajtim të kundërligjshëm të emigrantëve. Madje, Danimarkës iu kërkua të ndryshojë rregulloren lidhur me bashkimin familjar. Gjykata gjithashtu ka dënuar disa herë Italinë për trajtimin ndaj emigrantëve./DW