Aktualitet Rajoni

Emigracioni në Rajon, Shqipëria dhe Kosova kryesojnë!

Flukset e emigracionit po shndërrohen në pengesë kryesore për rritjen ekonomike afatgjatë në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (WB6). Në raportin e rregullt ekonomik rajonal të publikuar këto ditë, Banka Botërore vuri në dukje se edhe në dy vitet e fundit 2024-2025, rajoni vazhdon të vuajë nga hemorragjia e vazhdueshme e forcës punëtore, duke krijuar vështirësi të mëdha në tregun e punës.

Të dhënat tregojnë së Shqipëria mbetet në qendër të kësaj problematike, duke regjistruar shifrat më të larta të emigracionit neto (largimet minus kthimet), ndërsa Serbia njeh shifrat më të ulëta në krahasim me popullsinë e saj.

Shqipëria më e prekura e Rajonit për emigrimin

Shqipëria kryeson listën me nivelin më të lartë të emigracionit neto, duke mbajtur një shifër konstante prej -24.2 mijë në të dy vitet 2024-2025. Vendi po përballet një hemorragji demografike të vazhdueshme që nuk po reflekton përmirësim, përkundrazi është përshpejtuar pas pandemisë.

Arsyet kryesore lidhen me kërkesën për paga më të larta dhe kushte më të mira jetese në vendet e Bashkimit Europian, veçanërisht nga shtresa e të rinjve dhe profesionistëve.

Të dhënat e Bankës Botërore sugjerojnë se politikat e brendshme për frenimin e këtij fenomeni nuk po japin rezultatet e pritura. Ky trend i lartë mbetet një sfidë kritike për tregun e punës dhe qëndrueshmërinë e skemave shoqërore në vend.

Kosova, rënie pas fluksit të lartë të heqjes së vizave

Banka Botërore pa për Kosovën përmirësim të dukshëm, vitin e kaluar. Shifra e emigracionit neto ulet nga -22,000 persona më 2024-ën, në -18, 500 më 2025-ën, duke treguar tendencë drejt stabilizimit.

Ky ndryshim me tendence uljeje reflekton stabilizim pas valës së parë të liberalizimit të vizave që shpesh sjell një kulm e pastaj rënie. Megjithatë, shifrat mbeten sërish ndër më të lartat në rajon, çka tregon se presioni për emigrim mbetet i lartë për shkak të papunësisë te të rinjtë.

Arsyet e largimit janë kryesisht ekonomike, por rënia e ritmit tregon se ka ngadalësim të dëshirës për t’u larguar përgjithmonë. Rënia e largimeve me 2025 është shenjë inkurajuese për stabilitetin demografik të shtetit më të ri të rajonit.

Serbia largimet rriten, por më të ulëtat në Rajon

Serbia shfaq një përkeqësim të ndjeshëm të situatës, ku emigracioni neto rritet nga -8,200 në vitin 2024, në -13,100 në vitin 2025, referoi Banka Botërore. Por në raport me popullsinë prej rreth 6.8 milion banorësh, Serbia ka shifra më të ulëta të emigracionit neto.

Kjo rritje, kryesisht i atribuohet pasigurisë dhe një pakënaqësi në rritje brenda vendit ndaj qeverisjes, pavarësisht investimeve të huaja me vlerë të lartë që hyjnë në territorin serb. Emigracioni në Serbi lidhet kryesisht me kërkesën për liri më të mëdha politike. Rritja e kësaj shifre e vendos Serbinë në një pozicion më delikat sesa parashikimet fillestare për stabilitet demografik në rajon.

Bosnja, emigracion të qëndrueshëm

Bosnja gjithashtu regjistron një rritje të emigracionit neto, duke kaluar nga -4,600 në vitin 2024, në -7,100 në vitin 2025. Ky trend negativ ushqehet kryesisht nga ngërçi i gjatë politik dhe mungesa e perspektivës së qartë për integrim të shpejtë në strukturat euro-atlantike.

Qytetarët po largohen drejt vendeve si Gjermania apo Austria për të gjetur jo vetëm punë, por edhe një ambient më të qëndrueshëm social e ligjor. Rritja e trendit tregon se faktorët shtytës po forcohen, ndërkohë që reformat e brendshme nuk po ecin me ritmin e duhur.

Maqedonia e Veriut stabilizon ikjet

Maqedonia e Veriut është i vetmi vend në listë, krahas Kosovës, që tregon përmirësim të lehtë, duke u zhvendosur nga -5,900 largime në vitin 2024, në -5,700 në vitin 2025. Edhe pse ndryshimi është i vogël, reflekton një lloj qëndrueshmërie në krahasim me fqinjët që po përjetojnë rritje të shpejtë të emigrimit.

Arsyet e këtij stabiliteti mund të lidhen me përpjekjet për reforma strukturore e një treg pune që po tenton të thithë forcën e lirë punëtore. Megjithatë, trendi negativ tregon se problemet bazë si korrupsioni dhe pagat e ulëta, vazhdojnë të nxisin largimin e qytetarëve. Por, vendi ka arritur të kontrollojë disi flukset e mëdha të papritura të largimeve.

Edhe Mali i Zi i drejtohet emigracionit

Mali i Zi ka pësuar rritjen më të madhe brenda rajonit në vitin e kaluar, nga -1,800 persona të larguar më 2024-ën, në -9,300 më 2025-ën. Arsyet janë komplekse dhe përfshijnë ndryshimet në koston e jetesës e paqëndrueshmërinë në turizëm, që është sektori kryesor i ekonomisë.

Mali i Zi ka popullsinë më të vogël në Rajon, me rreth 600 mijë banorë, por njëkohësisht standardin më të lartë të jetesës. Por, trendi në rritje i largimeve tregon zhgënjim të popullatës me qeverisjen brendshme./Monitor