Aktualitet

Starmer merr masa për ndalimin e kthimit të shqiptarëve të dëbuar në Britani!

Britania e Madhe do të intensifikojë përpjekjet për të luftuar rrjetet kriminale në mbarë Ballkanin Perëndimor, të cilat lehtësojnë emigracionin e paligjshëm. Këtë e deklaroi kryeministri Keir Starmer, para vizitës së sotme në vendin tonë nga ku pritet të shpallë masa për të ndaluar shtetasit shqiptarë të dëbuar nga Mbretëria e Bashkuar që të rikthehen, si dhe për të forcuar përpjekjet për të luftuar pastrimin e parave mes dy vendeve, siç raporton agjencia Reuters.

Disa ditë më parë njoftoi një paketë të gjerë reformash për të reduktuar emigracionin e ligjshëm. Po ashtu, pritet të dhurojë dy pajisje për zbulimin e dokumenteve të falsifikuara, me qëllim identifikimin e atyre që përdorin pasaporta të rreme.

Gjithashtu do të njoftojë zgjerimin e një task-force të përbashkët për emigracionin, për të përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut e Malin e Zi. Në këtë grup, aktualisht bëjnë pjesë Shqipëria e Kosova.

Në vitin 2022, shqiptarët përbënin grupin më të madh të emigrantëve që hynin në Britaninë e Madhe me varka të vogla, por numri ka rënë ndjeshëm që atëherë, pjesërisht për shkak të një marrëveshjeje për dëbim të arritur nga qeveria e mëparshme konservatore.

Sa i përket emigrimit të ligjshëm që përbën shumicën dërrmuese të hyrjeve në Britaninë e Madhe, Starmer premtoi të hënën se do të ulë ndjeshëm numrin e hyrjeve, duke paralajmëruar se vendi rrezikon të bëhet “një ishull i të panjohurve” nëse nuk ndërmerren masa më të rrepta.